Thaçi arsyetoi krijimin e Speciales, Bytyçi e kundërshton: Nuk qëndron

Aktuale

Thaçi arsyetoi krijimin e Speciales, Bytyçi e kundërshton: Nuk qëndron

Nga: A.SH Më: 13 shtator 2026 Në ora: 13:04
Enver Bytyçi

Profesori Enver Bytyçi ka kritikuar deklaratën e ish-presidentit Hashim Thaçi lidhur me krijimin e Gjykatës Speciale, duke e cilësuar atë si një përpjekje për të justifikuar vendimin.

Bytyçi thotë se nuk qëndron pretendimi se Gjykata do të krijohej nga Këshilli i Sigurimit nën udhëheqjen e Rusisë dhe Kinës. Ai gjithashtu pretendon se pas krijimit të Speciales, Thaçi ishte angazhuar për ndarjen e Kosovës, duke e cilësuar këtë si një dëm të madh për vendin.

Shkrimi i tij:

Mediat transmetojnë se ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, para tri ditësh ka deklaruar sa vijon: "Nëse nuk do ta formonim Gjykatën Speciale, ajo do të formohej nga Këshilli i Sigurimit, në krye me Rusinë dhe Kinën. Isha zotuar që të mos i ndodhte asgjë e keqe Kosovës.Tani jam duke paguar çmimin në lëkurën time. Por kapërcen edhe kjo vështirësi"

Ok! Është një deklaratë e justifikimit të vendimit për formimin e Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë. Por e vërteta nuk është kjo. Pse?

1. Sepse në Këshillin e Sigurimit nuk janë vetëm Rusia e Kina. Këto të dyja nuk janë as kanë qenë ndonjëherë në krye të këtij Këshilli. Nëse do të donin SHBA, Britania e Madhe dhe Franca nuk do të votohej asnjë rezolutë për këtë gjykatë. Atëherë pse Barak Obama kërcënoi me krijimin e gjykatës nga ana e Këshillit të Sigurimit? Ka dy arsye për këtë. Ose argumentet dhe faktet ishin të pakundërshtueshme. Ose do të ketë ndryshuar qasja e Perëndimit ndaj Kosovës. E para hidhet poshtë, sepse SHBA-të kanë refuzuar të votojnë shumë rezoluta të tjera si kjo.

2. Së dyti, nuk është e vërtetë se zoti Thaçi e krijoi Gjykatën për të mos i sjellë të keqe Kosovës! Pas krijimit të Gjykatës ai u investua për ndarjen e Kosovës dhe të keqe më të madhe Kosova nuk do të përjetonte në asnjë rrethanë tjetër!

Megjithatë, gjuha kockë nuk ka! Mund të shkruash e mund të thuash gjithçka të sajuar!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat