Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka reaguar pas deklaratës së Albulena Haxhiut se Kuvendi i Kosovës është konstituuar.
Gruda ka thënë se Kuvendi nuk mund të konsiderohet i konstituuar pa zgjedhjen e të gjithë nënkryetarëve, duke theksuar se ende nuk është zgjedhur nënkryetari nga radhët e PDK-së.
Ai ka akuzuar Vetëvendosjen për shkelje të afateve kushtetuese dhe ka paralajmëruar se PDK-ja do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për sqarimin e situatës. Sipas tij, vetëm kjo gjykatë mund ta zgjidhë “kaosin kushtetues” të krijuar.
Reagimi i plotë:
Askush nuk mund të përfitojë nga shkelja e vet: VV nuk mund t’i shkelë afatet dhe pastaj PDK-së t’ia marrë një të drejtën kushtetuese.
Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese në rastet KO124/25, KO193/25 dhe KO196/25, si dhe KO265/25, kanë përcaktuar qartë se Kuvendi nuk mund të konsiderohet i konstituuar pa u zgjedhur të gjithë nënkryetarët e tij. Në këtë rast, Kuvendi nuk është konstituuar, pasi nuk është zgjedhur nënkryetari nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.
Keqinterpretimi që po i bëhet aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, konkretisht pjesës që përcakton pasojat juridike të mosushtrimit të së drejtës për të propozuar nënkryetarin e Kuvendit, nuk mund të zbatohet në rastin e PDK-së.
Kjo për tri arsye themelore:
E para, PDK-ja nuk ka refuzuar ushtrimin e së drejtës së saj kushtetuese për të propozuar nënkryetarin e Kuvendit. Përkundrazi, në letrën zyrtare që kemi dërguar kemi sqaruar shprehimisht se nuk heqim dorë nga e drejta jonë për të propozuar, por përmbahemi përkohësisht nga ushtrimi i saj, derisa Gjykata Kushtetuese të sqarojë rrethanat kushtetuese të krijuara rreth konstituimit të Kuvendit. Ka dallim thelbësor ndërmjet heqjes dorë nga një e drejtë kushtetuese dhe pezullimit të përkohshëm të ushtrimit të saj për shkak të një kontesti kushtetues që kërkon interpretim nga Gjykata Kushtetuese.
E dyta, afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit ka përfunduar më 7 gusht. Pastaj, vetë Lëvizja Vetëvendosje vendosi si afat politik datën 6 shtator. Asnjëri prej këtyre afateve nuk u respektua. Përkundër kësaj, ne kemi marrë pjesë edhe në dy seanca të thirrura jashtë këtyre afateve, duke treguar vullnet që Kuvendi të konstituohej. Në të dyja rastet, në vend të konstituimit të Kuvendit, pati vetëm manovra procedurale dhe lojëra absurde politike të Vetëvendosjes, të cilat e pamundësuan përfundimin e procesit.
Nuk mund të funksionojë rendi kushtetues sipas standardit që njëra palë i shkel të gjitha afatet, thërret seanca kur dëshiron vetë, nuk e përfundon konstituimin kur ne marrim pjesë dhe, në fund, thërret një seancë tjetër jashtë çdo afati dhe deklaron se Kuvendi qenka konstituuar pa ne.
E treta, një interpretim i tillë do të krijonte një precedent jashtëzakonisht të rrezikshëm kushtetues: pala që ka shkaktuar dhe vazhduar shkeljen e afateve kushtetuese do të përfitonte juridikisht pikërisht nga shkelja e vet. Në vend që shkelja të prodhonte përgjegjësi kushtetuese, ajo do të përdorej si bazë për t’ia mohuar një subjekti tjetër parlamentar një të drejtë që ia garanton vetë Kushtetuta.
Një standard i tillë nuk mund të pranohet. Vetëm Gjykata Kushtetuese mund ta sqarojë dhe ta zgjidhë këtë kaos kushtetues të krijuar nga Vetëvendosja. Prandaj, ne do t’i drejtohemi asaj dhe do ta respektojmë vendimin e saj.