Kurti kërkon marrëveshje për presidentin: Do të ishte e pafalshme që vendi të shkojë sërish në zgjedhje

Aktuale

Kurti kërkon marrëveshje për presidentin: Do të ishte e pafalshme që vendi të shkojë sërish në zgjedhje

Më: 14 shtator 2026 Në ora: 08:51 Përditësuar në ora: 10:46 më 14.09.2026
Qeveria e Kosovës

Kurti: Jemi shumë afër zgjidhjes së presidentit, do të ishte e pafalshme të shkojmë sërish në zgjedhje

Kryeministri Albin Kurti u ka bërë thirrje liderëve politikë dhe deputetëve që të arrijnë një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, duke paralajmëruar se shkuarja sërish në zgjedhje do të ishte “papërgjegjësi ndaj interesit publik dhe pamaturi e madhe politike”.

Në mbledhjen e parë solemne të Qeverisë, Kurti tha se Kosova tashmë ka Kuvend të konstituar dhe Qeveri të zgjedhur, ndërsa çështja e presidentit mbetet sfida e radhës.

Ai tha se për këtë nevojitet një marrëveshje politike mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke theksuar se disa deputetë të LDK-së kanë shprehur kundërshtim ndaj zbatimit të marrëveshjes së arritur mes dy subjekteve.

“Sot zyrtarisht është dita e parë e punës nën qeverisjen e re të dalë nga procesi zgjedhor i 7 qershorit 2026, ndonëse realisht është veçse vazhdim i punës dhe i mandatit të ndërprerë pa nevojë e në dëm të vendit. Mirënjohës qytetarëve për besimin e dhënë, deputetëve të Kuvendit për votimin, urime të gjithëve. Përpara, kemi shumë punë e projekte. Sfida dhe probleme, dhe natyrisht që vetëm bashkarisht do t’ia dalim mbanë. Qeverisja jonë e përbashkët është punë për qytetar, pas zgjedhjeve të rregullta të 9 shkurtit 2025, pas një mandati të plotë qeverisës 4-vjeçar, kemi pasur 2 palë zgjedhje të paarsyeshme, të pushtueshme, dhe që nuk sollën rezultat tjetër. 10 muaj bllokadë e barrikadim për të shkuar në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025. Qytetarët folën qartë, para vitit të ri 2026”, tha ai.

Kurti tha se edhe në vitin 2026 vendi shkoi në zgjedhje për shkak të bllokadës institucionale, kësaj here lidhur me zgjedhjen e presidentit.

“Por barrikadim sërish për të shkuar përsëri në zgjedhje, në 7 qershor 2026. Edhe një herë, qytetarët folën qartë. Në vitin 2025 shkuam në zgjedhje për shkak të barrikadimit për kuvende qeverie. Ndërkaq, sivjet, në 2026, për shkak të barrikadimit për shkak të presidentit. Sot, kur po flasim, jemi me kuvend të konstituar e qeveri të zgjedhur, ndërkaq përpara kemi çështjen e presidentit dhe një marrëveshje politike mes subjekteve Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës për kandidatin për president. Para nesh është sfida me qëndrimin e shprehur nga disa deputetë, nga radhët e LDK-së, të cilët nuk duan ta zbatojnë marrëveshjen e arritur me mund e përkushtim, pas një procesi negociatash jo të lehta, të autorizuara nga kryesitë përkatëse të partive tona. Jemi kaq afër zgjidhjes së presidentit, saqë do të ishte e pafalshme të shkojmë sërish në zgjedhje për të ardhur përsëri në të njëjtën pikë”, tha ai.

Kryeministri u bëri thirrje liderëve politikë që të dialogojnë për tejkalimin e situatës dhe zgjedhjen e presidentit.

“Andaj, si kryeministër i Republikës së Kosovës, por edhe si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, subjektit politik më të madh në vend dhe në kuvend, ju bëj thirrje liderëve politikë: kolegëve të mi, deputetëve, le ta zgjidhim çështjen e presidentit, t’i japim vendit tonë institucionin përputhje me vullnetin qytetar, dhe le të ecim përpara së bashku ashtu siç i takon Republikës sonë e siç presin qytetarët tanë. Jam i bindur që edhe një proces i panevojshëm zgjedhor jo vetëm që nuk do të sillte diçka të re sa i përket mozaikut politik në vend, por përfundimisht do të ishte papërgjegjësi ndaj interesit publik dhe pamaturi e madhe politike. Se gjetja e një kompromisi politik është e mundur dhe sjell rezultat, është dëshmi vetëkonsituimi i kuvendit. Ne dje pranuam plotësisht kandidaturat për nënkryetarë të kuvendit nga PDK dhe LDK, përkundër vërejtjeve që kishim, dhe sot jemi me qeveri të re, përveçse kuvend të konstituar. Një diskutim politik mes nesh, i hapur dhe i sinqertë, jam i bindur që do t’i sjellë vendit president të ri”, tha ai.

Kurti: Urojmë që vendimi i së mërkurës të jetë në përputhje me të drejtën dhe krerët e UÇK-së të kthehen të lirë

Kryeministri Albin Kurti, në mbledhjen e parë të Qeverisë ka thënë se Kosova po pret vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë për ish-drejtuesit e UÇK-së, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe Kadri Veseli.

Kurti ka deklaruar se, sipas tij, lufta dhe rezistenca e popullit të Kosovës kanë qenë të drejta dhe çlirimtare, ndërsa ka shprehur shpresën që edhe vendimi i Gjykatës Speciale të jetë në përputhje me këtë, duke uruar kthimin e ish-krerëve të UÇK-së në Kosovë.

“Pas 2 ditësh, Kosova ne të gjithë presim vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë për drejtuesit e ushtrisë çlirimtare të Kosovës. Hashim Thaçi Jakup Krasniqi Rexhep Selimi dhe Kadri Veseli.

Për ne është gjithçka e qartë: populli i Kosovës rezistenca dhe lufta jonë ka qenë e drejtë, çlirimtare, dhe kundrejt një pushtuesi. I cili kreu krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid. Besojmë e urojmë që edhe verdikti i së mërkurës të jetë në përputhje me këtë të drejtë dhe drejtuesit e UÇK-së të kthehen të lirë në vendin e tyre e pronë familjeve”, tha ai.

Qeveria Kurti IV po mban mbledhjen e parë

Qeveria e re e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti, do të mbajë sot mbledhjen e saj të parë.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, mbledhja e parë e Qeverisë Kurti IV do të nisë në orën dhjetë.

Mbledhja do të mbahet në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës.

Kjo është mbledhja e parë e kabinetit të ri qeveritar pas zgjedhjes së Qeverisë Kurti IV.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat