​Familjet Begu dhe Brovina konfirmojnë vdekjen e Flora Brovinës

Aktuale

​Familjet Begu dhe Brovina konfirmojnë vdekjen e Flora Brovinës

Më: 15 shtator 2026 Në ora: 12:23
Flora Brovina

Familjet Begu dhe Brovina kanë konfirmuar, përmes anëtarit të tyre, Uranikut, vdekjen e mjekes, poetes, humanistes dhe ish-deputetes së Kuvendit të Kosovës, Flora Brovina.

“Me pikëllim të thellë në zemër njoftojmë familjarët, miqtë, bashkëpunëtorët dhe të gjithë ata që e njohën dhe e deshën, se u nda nga jeta më e dashura jonë, dr. Flora Brovina”, thuhet në njoftimin e përbashkët të dyja familjeve, dërguar nga Uraniku Begu, djali i saj.

Aty përmendet kontributi I tashmë të ndjerës si mjeke, poete, humaniste dhe aktiviste për të drejtat e njeriut ndërsa potencohet edhe veprimtaria e saj si ish-e burgosur politike, veterane e UÇK-së, deputete dhe nënshkruese e Deklaratës së Pavarësisë.

“Flora jetoi një jetë të mbushur me dashuri për familjen, për njeriun dhe për atdheun. Si mjeke u shërbeu njerëzve me përkushtim e dhembshuri, ndërsa si poete na la fjalën dhe shpirtin e saj”, thuhet në njoftim.

Në të, po ashtu, potencohet se Brovina, me veprën, qëndresën dhe humanizmin e saj, la gjurmë të pashlyeshme në historinë e Kosovës dhe të shqiptarëve.

“Për ne, përtej veprës dhe kontributit të saj publik, ajo ishte nëna dhe gjyshja jonë e dashur, motra dhe zemra e familjes sonë”, thuhet më tej në njoftim.

Familja Begu dhe Brovina ka bërë të ditur se për ceremoninë e varrimit dhe pritjen për ngushëllime do të njoftojë me kohë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat