Avni Islami pas verdiktit në Hagë bën thirrje për qetësi, maturi dhe unitet

Aktuale

Avni Islami pas verdiktit në Hagë bën thirrje për qetësi, maturi dhe unitet

Nga: A.SH Më: 16 shtator 2026 Në ora: 12:20
Avni Islami

Profesori i shkencave të sigurisë, Avni Islami, ka bërë thirrje për qetësi, maturi dhe unitet pas verdiktit të Gjykatës Speciale në Hagë.

Islami ka theksuar se vendimi nuk është përfundimtar dhe se do të shfrytëzohen të gjitha rrugët ligjore të ankesës.

Ai u ka bërë thirrje qytetarëve të mos bien pre e provokimeve dhe reagimeve të pamatura, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit dhe dinjitetit të Kosovës.

Thirrja e plotë:

Të dashur vëllezër dhe motra, të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,

Pas verdiktit të Gjykatës Speciale në Hagë, dua t’ju bëj thirrje për qetësi, maturi dhe unitet. Ky vendim nuk është përfundimtar dhe e drejta për ta ankimuar do të shfrytëzohet përmes të gjitha rrugëve ligjore. Ne besojmë se drejtësia do të triumfojë dhe se krerët e UÇK-së do të dëshmojnë pafajësinë e tyre në proceset e mëtejshme.

Në këto momente të ndjeshme, askush të mos bjerë pre e provokimeve, emocioneve apo veprimeve që mund ta dëmtojnë vendin tonë. Ata që dëshirojnë destabilizimin e Kosovës do të përpiqen ta shfrytëzojnë çdo përçarje dhe çdo reagim të pamatur.

Prandaj, ju bëj thirrje të gjithëve: ta ruajmë qetësinë, dinjitetin dhe unitetin tonë.

Ta ruajmë Republikën e Kosovës, shtetin që u ndërtua me sakrifica të mëdha dhe me gjakun e dëshmorëve dhe luftëtarëve të UÇK-së.

Në këto momente, përgjigjja jonë le të jetë maturia, uniteti dhe besimi në drejtësi.

Kosova është më e madhe se çdo moment i vështirë. Ta ruajmë së bashku 🇽🇰🇦🇱

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat