Mërgimtari nga protesta: "E du lirinë e tyre, Zotit kurrë në jetë s'i lypi mo"
Një mërgimtar që po proteston bashkë me shumë qytetarë të tjerë, te selia e EULEX-it në Prishtinë, ka folur i prekur për atë që ndodhi sot në Hagë.
Për dënimin e ish-krerëve të UÇK-së, ai u shpreh fort i tronditur, edhe për bashkëluftëtarë të tjerë të tyre që mund të dënohen në të ardhmen.
Ai tha se lirinë e katërshes e ka dashur më shumë se gjithçka në jetë.
“A e dëgjuat që edhe 20 tjerë i ceki, ata krejt ka me i marrë e me i dënu njëjtë. Dalin shqiptarët që flasin shqip, se individët po i dënojnë. Duhet me kanë trushpërlarë me thanë kështu. Duhet të vetëdijesohemi e me dashtë vendin ma shumë se jetën. Unë e du lirinë e tyre dhe Zotit kurrë në jetë s’i lypi mo. Veç m’i pa ata të lirë, jo që kam lidhje me ta.”
Qytetarët e revoltuar pas dënimit të krerëve: U dënua Kosova
Para zyrave të EULEX-it qytetarët e Kosovës po protestojnë pas vendimit dënues ndaj katërshes së UÇK-së për krime lufte.
Një qytetar, tha se sot nuk u dënuan vetëm Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi por e gjithë Kosova.
“Kosova u dënue, Kosova u dënue. E padrejtë, para qytetarëve jam duke folur, Gjykatë e padrejtë”, u shpreh ky qytetar.
Bllokohet rruga Prishtinë–Fushë Kosovë edhe anasjelltas, nxënësit detyrohen të ecin në këmbë me çanta në shpinë
Protesta kundër aktgjykimit të Gjykatës Speciale ka shkaktuar bllokim të disa prej rrugëve kryesore që lidhin Prishtinën me Fushë Kosovën.
Media merr vesh se rrugët Prishtinë–Fushë Kosovë anasjelltas janë të bllokuara, konkretisht te rrethi i Kazermës “Adem Jashari” dhe te rrethi anën tjetër.
Për shkak të bllokimit, situata është vështirësuar edhe për nxënësit që udhëtojnë nga Prishtina drejt shtëpive të tyre në Fushë Kosovë dhe zonat përreth.
Disa prej tyre po detyrohen të vazhdojnë rrugën në këmbë nga Prishtina deri në shtëpitë e tyre, duke bartur çantat e rënda në shpinë.
Protestuesit godasin me mjete piroteknike objektin e EULEX-it
Gjatë protestës së zhvilluar sot protestuesit kanë hedhur mjete piroteknike në drejtim të objektit të EULEX-it.
Mjetet piroteknike janë hedhur në drejtim të objektit, ndërsa autoritetet e rendit kanë qenë të pranishme për të monitoruar situatën dhe për të ruajtur rendin dhe sigurinë.
Ndryshe, protesta është zhvilluar në shenjë kundërshtimi ndaj zhvillimeve të fundit, ndërsa pritet që autoritetet të japin më shumë informacione lidhur me incidentin dhe masat e ndërmarra.
Sulmohet me shishe selia e EULEX-it
Selia e EULEX-it në Fushë-Kosovë është sulmuar me shishe, nga masa e protestuesve.
Incidenti ka ndodhur çaste më parë, pasi protestuesit u nisën të mllefosur pas verdiktit të turpshëm në Hagë, raporton IndeksOnline.
Forca të shtuara policore janë pozicionuar para objektit të EULEX-it, për të zbatuar veprimet që sigurojnë rend dhe qetësi.
Qytetarët brohorasin 'UÇK' te selia e EULEX-it
Qytetarët që po protestojnë kundër vendimin të Hagës, tashmë kanë arritur te selia e EULLEX-it.
Ata po brohorasin 'UÇK', ndërkaq Policia e Kosovës ka rrethuar objektin.
Njësia Speciale e Policisë së Kosovës blindon objektin e EULEX-it
Njësia Speciale e Policisë së Kosovës është pozicionuar pranë objektit të EULEX-it në Prishtinë.
Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë zyrtarë të shumtë policorë të pozicionuar rreth objektit të EULEX-it.
Ky zhvillim vjen pasi një numër i madh qytetarësh, të cilët ishin mbledhur në sheshin “Skënderbeu”, janë nisur në drejtim të zyrave të EULEX-it pas zhvillimeve të sotme në Hagë.