Këto janë katër kërkesat e protestuesve

Aktuale

Këto janë katër kërkesat e protestuesve

Më: 18 shtator 2026 Në ora: 07:08 Përditësuar në ora: 14:03 më 18.09.2026
Pamje nga protesta

Këto janë katër kërkesat e protestuesve

Në protestën e sotme të organizuar nga OVL e UÇK-së u lexuan katër kërkesat e protestuesve, për të cilat thanë se ka përgjegjësi edhe për qeveritarët edhe për Presidencën.

Në mes tyre ishte edhe shkarkimi i ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, duke thënë: “Çka është një ministër pa popullin? Popullin nuk e keni mbrapa. Duhet të largoheni”.

Kërkesat e lexuara:

Kërkesa nr.1: Shfuqizim ose ndryshim i ligjit për Dhomat e Specializuara.

Kërkesa nr.2: Shkarkimi i ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla

Kërkesa nr.3: Mbështetje e pakufizuar dhe fonde të mjaftueshme për mbrojtjen që ju duhet krerëve të UCK dhe kombit tonë

Kërkesa nr.4: Angazhimin e ekspertëve më të mirë ndërkombëtarë.

Musliu: Anton Quni tha se do të tërhiqej nga politika kur Thaçi e Veseli të jenë në burg, atëherë jep dorëheqje

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka kërkuar tërheqjen nga politika të deputetit të LDK-së, Anton Quni, duke thënë se ai ka bërë një deklaratë ku thoshte se “jep dorëheqje” kur Hashim Thaçi e Kadri Veseli të jenë në burg, raporton Ekonomia Online.

“Deputeti Anton Quni të tërhiqet nga politika sepse nëse iu kujtohet pat thënë se kur të jetë në burg Hashim Thaçi e Kadri Veseli, unë do ta lë politikën.

Prandaj, Anton, nëse je veç pak i përgjegjshëm ndaj asaj që ke thënë, jep dorëheqje nga politika”, ka thënë ajo.

Këtë deklaratë Musliu u bëri në një prononcim për media gjatë protestës së sotme të OVL UÇK-së kundër vendimit dënues të Hagës për ish-krerët e UÇK-së.

Mblidhen protestuesit

Shumë qytetarët kanë nisur të mblidhen në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë për protestën e thirrur nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së

Protesta pritet të nis pas pak minutash në kundërshtim të vendimit të Gjykatës Speciale për ish-krerët e UÇK-së. 

Gjykata Speciale me seli në Hagë ka dënuar Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin me nga 25 vjet burgim, Kadri Veselin me 18 vjet dhe Rexhep Selimin me 13 vjet burgim.

Të gjithë janë dënuar për krime lufte, ndërsa janë shpallur të pafajshëm për krime kundër njerëzimit.

Protesta në Prishtinë, Ambasada amerikane këshillon shmangien e sheshit “Skënderbeu”

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka publikuar një njoftim lidhur me protestën që pritet të mbahet sot në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

Protesta e organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) është paralajmëruar të nisë në orën 12:00, në shenjë kundërshtimi ndaj aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Në njoftimin e saj, Ambasada amerikane ka bërë të ditur se tubimi mund të sjellë grumbullim të qytetarëve dhe ndryshime të përkohshme në qarkullimin rrugor në qendër të kryeqytetit.

Protesta sot, Policia thirrje pjesëmarrësve: Tregoni kujdes e maturi, mos hidhni gjësende të forta dhe mos përdorni maska

Ambasada u ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin sheshin “Skënderbeu” dhe zonat përreth gjatë kohës së protestës, për shkak të mundësisë së mbylljeve të rrugëve dhe pengesave në trafik.

Po ashtu, qytetarëve u është kërkuar që, nëse ndodhen pranë tubimit, të tregojnë kujdes dhe të jenë të vëmendshëm ndaj zhvillimeve në terren.

Njoftimi i Ambasadës amerikane është publikuar si “Demonstration Alert” për Prishtinën dhe lidhet me protestat e paralajmëruara për 18 shtator 2026.

Ndërkohë, institucionet përgjegjëse pritet të ndërmarrin masat e nevojshme për menaxhimin e qarkullimit gjatë protestës.

Policia njofton për masat e sigurisë për protestën e veteranëve të UÇK-së

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka ndërmarrë të gjitha përgatitjet e nevojshme operacionale për protestën e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, e cila pritet të mbahet sot në orën 12:00 në sheshet e Prishtinës.

Policia tha se do të angazhohet për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike dhe për sigurinë e të gjithë pjesëmarrësve, duke theksuar se e njeh të drejtën e qytetarëve për protesta të qeta dhe demokratike në përputhje me ligjin.

Zyrtarët policorë kanë zhvilluar takim me përfaqësuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës, me qëllim të koordinimit të masave për mbarëvajtjen e protestës.

PK-ja u ka bërë thirrje pjesëmarrësve që të respektojnë ligjin dhe udhëzimet e zyrtarëve policorë, si dhe të tregojnë kujdes e maturi gjatë protestës. Po ashtu, ka kërkuar që të mos hidhen gjësende apo mjete të forta dhe të mos përdoren maska.

Për shkak të protestës dhe lëvizjes së pjesëmarrësve, Policia paralajmëroi se mund të ketë kufizime ose ndërprerje të përkohshme të qarkullimit në disa rrugë që çojnë drejt shesheve të kryeqytetit. Për këtë arsye, njësitë policore të trafikut do të angazhohen për riorientimin e qarkullimit në rrugë alternative, nëse paraqitet nevoja.

Sot në 12:00 protestë gjithëpopullore

Organizatat e dala nga lufta kanë thirrur protestë gjithëpopullore sot në orën 12:00, në sheshin “Skënderbeu”, pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Gazmend Syla tha se vendimi, sipas tyre, është i padrejtë dhe se lufta e UÇK-së nuk mund të barazohet me krimet e kryera gjatë luftës.

“UÇK-ja nuk ishte kurrë ndërmarrje kriminale, ishte rezistenca në kuptimin tonë përballë dëbimit, masakrave dhe e vetmja përgjigje e një kombi që ishte dënuar me zhdukje”, tha Syla.

Organizatat e dala nga lufta kanë paralajmëruar edhe krijimin e një Këshilli Koordinues Kombëtar dhe një platforme ku do të përfshihen institucionet, partitë parlamentare, shoqëria civile, shqiptarët nga rajoni dhe diaspora.

Ata kanë paralajmëruar gjithashtu një strategji kundërshtuese ndaj vendimit gjatë procesit të apelit.

Gjykata Speciale ka dënuar Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin me nga 25 vjet burgim, Kadri Veselin me 18 vjet dhe Rexhep Selimin me 13 vjet burgim për krime lufte. Vendimi mund të apelohet.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat