“Nuk jam i partive, jam Çlirimi i UÇK-së”, mesazhi i organizatorit të protestës në Prishtinë
Organizatori i protestës së mbajtur në sheshin Skënderbeu në Prishtinë, Çlirim Haziri, i është drejtuar mijëra qytetarëve të pranishëm me një fjalim të prerë e të drejtpërdrejtë, duke distancuar kauzën e tubimit nga çdo ngjyrim politik partiak.
Para protestuesve që mbanin flamuj kombëtarë dhe emblema të UÇK-së, Haziri theksoi se përkatësia dhe zëri i tij lidhen vetëm me vlerat e luftës çlirimtare.
Sonte dua ta them shumë qartë: Unë nuk jam Çlirimi i Vetëvendosjes, unë nuk jam Çlirimi i PDK-së, unë nuk jam Çlirimi i LDK-së, unë nuk jam Çlirimi i AAK-së. Unë jam Çlirimi i UÇK-së!“, tha ai.
Kjo deklaratë ndezi sheshin, ku masa e tubuar shpërtheu në brohoritje të njëzëshme “UÇK! UÇK! UÇK!“.
Ish-ushtari i UÇK-së përsërit betimin e UÇK-së bashkë me qytetarët në shesh
Një moment tejet emocionues dhe plot krenari është regjistruar në sheshin e kryeqytetit, ku ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Halit Zogaj, ka rikthyer në kujtesë betimin historik të UÇK-së.
I rrethuar nga qindra qytetarë që mbanin në duar flamuj kombëtarë dhe emblema të UÇK-së pranë shtatores së Gjergj Kastriotit Skënderbeut, Zogaj ka marrë megafonin dhe ka recituar fjalët e betimit të shenjtë, ndërsa turma e pranishme i është bashkuar me një zë të fuqishëm në çdo rresht.
“Deklarohem i pafajshëm” - fjalët e fundit të krerëve të UÇK-së në Hagë kumbojnë në shesh
Për të 11-tën natë radhazi, qytetarë të Kosovës janë mbledhur sonte në sheshin "Skënderbeu" në Prishtinë, në shenjë vazhdimësie të protestës "Jo në emrin tim", kundër aktgjykimit të shpallur nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Protesta ka nisur, si çdo mbrëmje deri tani, në orën 21:00, me pjesëmarrjen e qindra qytetarëve, familjarëve të të dënuarve, si dhe figurave nga jeta politike dhe publike e vendit. Pjesëmarrësit kanë mbajtur flamuj kombëtarë, flamuj të UÇK-së dhe pankarta me mbishkrime në mbështetje të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Në mesin e qytetarëve sot u lëshuan fjalët përfundimtare të ish-krerëve të UÇK-së në Gjykatës Speciale në Hagë.
Qytetarët duartrokitën deklaratat e çlirimtarëve.
“Unë jam vajza e 17 Shkurtit të Pavarësisë” - protestuesja me mesazh në protestën për çlirimtarët
Në protestën që po mbahet sonte në mbështetje të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, një nga protestueset ka përcjellë mesazhin “Unë jam vajza e 17 Shkurtit të Pavarësisë”.
Ajo u shfaq në mesin e protestuesve me një pankartë ku shkruhej se është “„Unë jam vajza e 17 Shkurtit, lindur në ditën e Pavarësisë, rritur me borxhin e lirisë që ju ma dhuruat, ndërsa në të njëjtën pankartë ishte vendosur edhe mesazhi “Jo në emrin tim”.
Protestuesit kanë shprehur mbështetje për çlirimtarët dhe kundërshtimin e tyre ndaj vendimeve të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Mesazhe të tilla janë bërë pjesë e protestave të organizuara ditëve të fundit, me thirrje për drejtësi dhe mbështetje për ish-pjesëtarët e UÇK-së.
Qytetarët "nuk lodhen" - mblidhen masivisht në kryeqytet në protestë për çlirimtarët
Protestat në Kosovë në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së kanë vazhduar edhe sot.
Në kryeqytet sot po zhvillohet dita e 11-të e protestës për të kundërshtuar vendimin dënues të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Qytetarët janë mbledhur masivisht edhe sot në numër të madh për çlirimtarët.
I moshuari me lot në sy shihet në mes të protestës te “Skenderbeu”
Mes mijëra qytetarëve që u mblodhën sot në qendër të Prishtinës, vëmendjen e ka marrë një moment tejet prekës dhe emocional.
Në pamjet e siguruara në mes të turmës te sheshi „Skënderbeu“, shihet një i moshuar me lot në sy, teksa përjeton thellësisht atmosferën dhe mesazhet e tubimit.
Kjo pamje e veçantë dhe plot emocion ka reflektuar ndjeshmërinë e madhe të qytetarëve, duke u bërë shpejt një nga momentet më domethënëse të kësaj proteste.
Nata e 11-të e protestës/ Nis grumbullimi i qytetarëve në shesh
Sonte është nata e 11-të e protestës kundër vendimit të Hagës ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe tashmë ka nisur grumbullimi i protestuesve në sheshin qendror të Prishtinës.
Pavarësisht temperaturave të ulëta, shumë qytetarë kanë arritur në pikën e grumbullimit, teksa të tjerë veçse janë rrugës.
Disa me pankarta, me flamuj e me bluza, po shprehin pakënaqësinë ndaj aktgjykimit dënues që Gjykata Speciale shqiptoi më 16 shtator për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin.
Kujtojmë se të hënën do të mblidhet Kuvendi i Republikës së Kosovës, teksa deputetët do të punojnë në ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.