Aktakuzë ndaj dy rojtarëve të Agjencisë së Pyjeve, dyshohet se nuk dorëzuan armët zyrtare

Aktuale

Aktakuzë ndaj dy rojtarëve të Agjencisë së Pyjeve, dyshohet se nuk dorëzuan armët zyrtare

Më: 2 tetor 2026 Në ora: 11:22
Prokuroria Themelore në Prishtinë

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave, të dyshuar për veprën penale “Përvetësimi në detyrë”.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, aktakuza është ngritur nga Departamenti i Krimeve të Rënda, Njësiti për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion, ndaj të pandehurve R.N. dhe H.D, transmeton "Bota sot".

Sipas aktakuzës, R.N., gjatë periudhës 2022–2026, ka qenë i angazhuar si rojtar në Agjencinë e Pyjeve të Kosovës, në Njësinë Pyjore Blinaj në Lipjan.

Prokuroria dyshon se pas pensionimit, ai nuk e ka kthyer armën zyrtare të gjahut, të modelit “Over/Under”, e cila ishte pronë e Agjencisë së Pyjeve të Kosovës.

Ndërkaq, i pandehuri H.D., i cili sipas aktakuzës ka shërbyer si rojtar në të njëjtën njësi gjatë periudhës 2019–2026, dyshohet se pas shkarkimit nga puna nuk e ka dorëzuar armën zyrtare të gjahut, të modelit “Pump Action Shotgun”.

Sipas Prokurorisë, me këto veprime dyshohet se është shkaktuar dëm i konsiderueshëm material ndaj Agjencisë së Pyjeve të Kosovës.

Prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit e vlerësimit të provave, të dy të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Të dyshuarit konsiderohen të pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat