Seancë pa opozitë: Kuvendi miraton ligjin për pastrimin e parave dhe plotëson Bordin e BQK-së

Aktuale

Seancë pa opozitë: Kuvendi miraton ligjin për pastrimin e parave dhe plotëson Bordin e BQK-së

Nga: Bota sot Më: 15 tetor 2026 Në ora: 07:19 Përditësuar në ora: 11:16 më 15.10.2026
Kuvendi i Kosovës

Radulloviq i drejtohet Listës Serbe: Mund të më vrisni, por jo të më frikësoni

Deputeti i partisë serbe “Sloboda, Pravda, Opstanak”, Lazar Radulloviq, ka akuzuar Listën Serbe për përpjekje për ta penguar kandidaturën e tij për deputet dhe për presion ndaj tij, duke thënë se është përballur edhe me sulme fizike dhe dëmtim të veturës.

Në deklarimin jashtë pikave të rendit të ditës, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, Radulloviq ka thënë se Lista Serbe ishte ankuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe në Gjykatën Supreme, me qëllim të kundërshtimit të kandidaturës së tij.

Ai ka pretenduar se përpjekjet për ta penguar kandidaturën e tij lidhen me pamundësinë që, siç tha, Lista Serbe ta kontrollojë apo ta bindë atë të kalojë në radhët e saj.

Radulloviq ka përmendur edhe një rast nga një mandat i kaluar, kur deputeti Svetko Veljkoviq, sipas tij, ishte larguar nga grupi politik i Nenad Rashiqit dhe kishte kaluar në kampin e Listës Serbe.

“Ajo që është problem për ta është se me mua nuk mund të bëjnë pazare, nuk mund të më blejnë dhe nuk mund të më frikësojnë. Vendi ku unë ulem është i betonuar. Nuk ekziston mënyrë që ata ta blejnë apo ta marrin atë”, ka deklaruar Radulloviq.

Ai ka thënë se kohëve të fundit është përballur me probleme, përfshirë sulme fizike dhe shpimin e gomave të veturës, të cilat ia ka atribuuar veprimeve të kësaj organizate.

“E vetmja mënyrë që të më largoni nga ky vend është të qëlloni me armë dhe të mos jem më. Në asnjë mënyrë tjetër nuk do të mund ta zini këtë vend”, ka thënë Radulloviq, duke iu drejtuar deputetëve të Listës Serbe.

Në fjalën e tij, ai ka përmendur edhe politikanin e ndjerë serb Oliver Ivanoviq, duke iu referuar një interviste të tij të fundit, në të cilën, sipas Radulloviqit, kishte folur për rrezikun e një sulmi ndaj tij.

“Dhe ajo që i ndjeri Oliver Ivanoviq kishte thënë në intervistën e tij të fundit: ‘I kanë bërë të gjitha, vetëm ende nuk kanë qëlluar mbi mua, por nuk besoj se do ta bëjnë këtë’. Unë po ju them se edhe unë mendoj se i keni bërë të gjitha, por në fund besoj se mund të ndodhë edhe kjo, të qëlloni mbi mua. Nuk e kam fjalën për ju, sepse ju jeni thjesht ‘piunë të rëndomtë’ që rrini këtu dhe dëgjoni atë që ju vjen me mesazhe nga Beogradi dhe nga shefat tuaj në Kopaonik, por ajo organizata juaj kriminale është e gatshme për gjithçka”, tha tutje Radulloviq.

Ai tutje ka theksuar se Lista Serbe vepron nën ndikimin e Beogradit dhe duke e quajtur organizatë kriminale tha se ajo është e gatshme për gjithçka.

Pavarësisht pretendimeve për presion dhe kërcënime, ai ka thënë se nuk do të frikësohet dhe u ka bërë thirrje përfaqësuesve të Listës Serbe të mos përpiqen më ta pengojnë përmes veprimeve që, sipas tij, nuk mund t'i arrijnë qëllimet e tyre.

Hamza për Ligjin për Specialen: Ndërhyrjet e presioni ndaj ushtrimit të mandatit të Kuvendit, të papranueshme

Kryetari i PDK’së, Bedri Hamza, nga foltorja e Kuvendit tha se ky institucion  e kanë të drejtën e plotë të hartojnë e miratojnë çfarëdo ligji që e konsiderojnë të rëndësishëm për të mbrojtur luftën çlirimtare.

Ai tha se miratimi i ndryshimeve të Ligjit për Dhomat e Specializuara u bë për garantimin e drejtësisë, ndërsa tha se Kuvendi e ka të drejtën e kufizimit të juridiksionit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

“E kemi një rezolutë dhe një ligj të miratuar që rikthen në binarë mandatin e Dhomave të Specializuara, të cilat kanë dalë nga mandati që Kuvendi i Kosovës ia kishte besuar e dhënë para më shumë se një dekade. Ligjin nuk e kemi bërë për t’u pëlqyer, ligjin e kemi bërë për të garantuar drejtësi dhe pavarësi nga ndikimi i çfarëdo pale. Kosova nuk ka deleguar sovranitetin e vet as Dhomave të Specializuara as një trupi gjykues dhe askujt tjetër. Ky Kuvend e ka të drejtën e plotë të hartojë e miratojë çfarëdo ligji që e konsiderojnë të rëndësishëm për të mbrojtur luftën tonë çlirimtare”.

Në këtë kontekst, Hamza thotë se nëse dikush shqetësohet, duhet të shqetësohet për padrejtësitë në Hagë dhe jo për nismat e Kuvendit të Kosovës.  

“Ata duhet t’i marrin seriozisht shkeljen e të drejtave të njeriut atje, të cilat janë evidentuar edhe nga organizatat që monitorojnë të drejtat e njeriut. Sa i përket ligjit, edhe vetë Dhomat e Specializuara e Gjykatës Kushtetuese ka konstatuar të drejtën e Kuvendit të Kosovës për të kufizuar juridiksionin e Dhomave e Specializuara përmes ligjit dhe ky Kuvend si institucion sovran tashmë e ka bërë këtë. Ndërhyrjet dhe presioni ndaj ushtrimit të mandatit të Kuvendit janë të papranueshme”.

Hamza e potencoi se sot është dita e fundit e afatit ligjor për ta proceduar për dekretim te Presidentja Ligjin për Specialen.

“Besoj se Presidentja do ta dekretojë pa vonesa”.

Kryetari i PDK’së tha se tash duhet përgjegjësi më e gjerë politike dhe kombëtare dhe që askush të mos qëndrojë indiferentë ndaj çështjes në Hagë.

“Mbrojtja e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës edhe ndaj brezave që kanë trashëguar dhe do ta trashëgojnë lirinë. Na takon të gjithëve, pa dallime partiake”.

Bashkimi Europian kishte reaguar me “shqetësim” ndaj miratimit të ndryshimeve në Ligjin për Specialen, duke thënë se kjo bie ndesh me obligimet ndërkombëtare të Kosovës.

Lushaku-Sadriu për kërcënimet, dhunën e vrasjet në vend: Problem shoqëror, duhet reagim serioz

Shefja e grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu tha se në Kosovë ka një “problem shoqëror”.

Ajo iu referua në seancën plenare të Kuvendit rasteve të kërcënimeve, dhunës e vrasjeve të fundit në vend.

“Kjo gjendje kërkon reagim serioz, jo vetëm nga institucionet, por edhe nga e gjithë shoqëria”, tha ajo.

Lushaku-Sadriu tha se “shteti duhet të reagojë fort” dhe se “Policia duhet t’i marrë tepër seriozisht kërcënimet” e “Prokuroria dhe Gjykata duhet të veprojnë në kohë”.

“Dhuna nuk fillon gjithmonë me armë. Gjithmonë fillon me fjalë, me fyerje, me kërcënime, me përpjekje për ta frikësuar dhe nënshtruar tjetrin. Fillon kur dikush mendon se ka të drejtë ta kontrollojë gruan, ta kontrollojë një familjarë, apo ta heshtë dikë që mendon ndryshe”, tha ajo.

Nagavci: Deklaratat e Daçiqit s’janë vetëm elektorale, por sovranitetin s’na e prekin dot, do të humbin

Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci ka përmendur prezencën e Milan Radoiçiqit në tubimet zgjedhore në mbështetje të ish-presidentit serb, Aleksandar Vuçiq dhe deklaratat e ish-kryediplomatit serb, Ivica Daçiq se “në një moment flamuri serb do të valojë mbi Prizren”.

Nagavci tha në seancën plenare të Kuvendit se “Radoiçiqi e ka pranuar organizimin e grupit që sulmoi Policinë e Kosovës më 24 shtator 2023, ndërkohë që Serbia nuk e ka dorëzuar para drejtësisë së Kosovës dhe nuk e ka ekzekutuar fletëarrestin ndërkombëtar”.

“Çfarë shteti është ky në mes të Evropës?”, tha Nagavci.

Ajo tha se nuk habiten nga deklarata e Daçiqit. Tha se ato nuk janë thjesht fjalë elektorale.

“Ne nuk habitemi. Këto nuk janë vetëm deklarata elektorale, por vazhdimësi e prentendimeve territoriale nga të cilat Serbia nuk ka hequr dorë”, tha ajo,

“Por Prizreni është qytet i Republikës së Kosovë. Është kryeqendër historike e kombit shqiptar. Sovranitetin tonë nuk e prekin dot. E provuan dhe humbën. Do të humbin çdoherë”, shtoi Nagavci.

Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare

Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot seancë plenare, e cila është paraparë të nisë në orën 10:00.

Në rendin e ditës janë gjithsej shtatë pika, përfshirë përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, formimin e një komisioni ad-hoc për përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, si dhe shqyrtimin e dytë të një projektligji për luftimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit..

Këto janë pikat e rendit të ditës:

-Miratimi i procesverbaleve nga seancat e mëparshme.

-Deklarimet jashtë rendit të ditës.

-Pyetjet parlamentare.

-Përzgjedhja e dy anëtarëve joekzekutivë të Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.

-Formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për dy anëtarë nga komuniteti shqiptar, një anëtar nga komuniteti serb dhe një anëtar nga komunitetet joshumicë në Bordin e Radiotelevizionit të Kosovës.

-Propozimi i Grupit Parlamentar të Listës Serbe për emërimin e deputetëve në komisionet parlamentare.

-Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 11/L-017 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-096 për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat