Shefi në Departamentin për Operacione në Policinë e Kosovës, Faruk Muqolli, ka deklaruar në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit pasurinë e tij për vitin 2026. Në deklarimin e tij figurojnë prona të paluajtshme të trashëguara nga prindi, dy vetura, para të gatshme, si dhe një kredi në TEB.
Faruk Muqolli, i cili mban pozitën e shefit në Departamentin për Operacione të Policisë së Kosovës, ka dorëzuar deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit.
Sipas dokumentit të publikuar, Muqolli ka deklaruar nëntë parcela toke, të gjitha të evidentuara si pasuri të trashëguara nga prindi, me sipërfaqe të përgjithshme prej 28 mijë e 856 metrash katrorë.
Ndër pronat e deklaruara është një arë me sipërfaqe prej 26 mijë e 549 metrash katrorë, ndërsa parcelat e tjera kanë sipërfaqe prej 736, 182, 305, 396, 182, 205, 60 dhe 241 metrash katrorë.
Vlerat e deklaruara për këto prona ndryshojnë, ndërsa më e larta është 6 mijë euro për një parcelë prej 305 metrash katrorë.
Dy vetura me vlerë 9 mijë e 500 euro
Sa i përket pasurisë së luajtshme, Muqolli ka deklaruar dy vetura.
E para është një Peugeot, e blerë në vitin 2021, me vlerë prej 5 mijë eurosh. Sipas deklarimit, ajo është siguruar përmes ndërrimit me veturën paraprake.
Ndërsa vetura e dytë është një Volkswagen, e blerë në vitin 2024, me vlerë prej 4 mijë e 500 eurosh. Në dokument thuhet se blerja është financuar nga kursimet e pagës së bashkëshortes.
100 mijë euro para të gatshme, por në pronësi të prindërve
Një nga shumat më të mëdha të evidentuara në deklarimin e pasurisë është ajo prej 100 mijë eurosh para të gatshme, të cilat janë deklaruar si të ardhura nga shitblerja e trashëgimisë.
Megjithatë, në dokument kjo shumë figuron në pronësi të prindërve dhe jo të drejtpërdrejtë të deklaruesit.
Po ashtu, është deklaruar edhe një shumë prej 4 mijë e 500 eurosh para të gatshme, të cilat, sipas dokumentit, kanë prejardhje nga kursimet e pagës dhe të falat nga diaspora. Kjo shumë figuron në pronësi të bashkëshortes.
Ka edhe kredi prej 5 mijë eurosh në TEB
Në deklarimin e tij, Muqolli ka evidentuar edhe një detyrim financiar ndaj bankës TEB SH.A.
Kredia është marrë më 1 korrik 2024, me afat deri më 1 qershor 2027 dhe kohëzgjatje prej 36 muajsh. Në dokument figuron vlera fillestare prej 5 mijë eurosh, vlera e mbetur prej 3 mijë eurosh dhe shuma totale e kredisë prej 4 mijë e 500 eurosh.
Si qëllim i marrjes së kredisë janë përmendur shlyerja e një kredie paraprake dhe nevoja të ndryshme familjare.
Të hyrat e deklaruara familjare
Në rubrikën e të ardhurave personale dhe familjare, Muqolli ka deklaruar pagë neto prej 950 eurosh përmes TEB-it dhe një shumë prej 825 eurosh përmes pagesës në para të gatshme.
Ndërsa për bashkëshorten janë deklaruar 3 mijë e 600 euro nga puna me orar të shkurtuar në firmën “Emona” dhe 6 mijë euro nga pagat përmes listës së pagave në NPI “Stacioni i Autobusëve” në Pejë.
Në dokument figurojnë gjithashtu 120 euro pension i moshës nga prindi dhe 270 euro interes bankar nga paratë e depozituara në bankë.
Ndërkaq, në rubrikat për aksione në shoqëri tregtare, letra me vlerë, kriptovaluta dhe donacione në parti politike, nuk ka të dhëna të deklaruara.
Deklarimi i pasurisë është dorëzuar në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit më 30 mars 2026.