Demiri mohon vrasjen para Policisë: “Dy trupat i gjeta në dhomë” – Prokuroria flet për litar, goditje dhe kundërthënie me kamerat

Aktuale

Demiri mohon vrasjen para Policisë: “Dy trupat i gjeta në dhomë” – Prokuroria flet për litar, goditje dhe kundërthënie me kamerat

Nga: bota Sot Më: 3 nëntor 2026 Në ora: 13:27
Brahim Demiri shoqërohet nga Policia pas caktimit të paraburgimit një mujor

Brahim Demiri, i dyshuari kryesor për vrasjen e djalit të tij, 27-vjeçarit Adonis Demiri, në fshatin Demiraj të Gjilanit, e ka mohuar fajësinë para hetuesve policorë.

Sipas informacioneve nga hetimi, ai ka deklaruar se trupat e djalit dhe të mbesës së tij foshnje i ka gjetur të pajetë në dhomë. Hetuesit dyshojnë se ai ka tentuar ta inskenojë ngjarjen.

“I dyshuari kryesor nuk e ka pranuar fajësinë para policëve. Ai ka deklaruar se nuk është i fajshëm dhe dy trupat i ka gjetur të vdekur në dhomë, ndonëse aty është gjetur një litar. Ai dyshohet se ka tentuar ta inskenojë.”

Një muaj paraburgim

Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë dhe i ka caktuar Demirit masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji. Ai dyshohet për veprat penale vrasje e rëndë dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, pasi në shtëpi u gjet edhe një armë gjuetie me leje të skaduar.

Gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar se, nëse do të lihej në liri, i dyshuari mund të ndikonte te dëshmitarët. Palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

Çfarë thotë dosja e Prokurorisë

Sipas Prokurorisë Themelore në Gjilan, ngjarja ka ndodhur më 1 nëntor 2026, pas orës 00:27 e deri në orët e mëngjesit, në shtëpinë e familjes në Demiraj. Prokuroria pretendon se, pas një konflikti fizik, i dyshuari e ka goditur të birin me grushte në kokë dhe në trup, më pas me një mjet të fortë në anën e djathtë të kokës, e ka përplasur për tokë dhe, sipas shenjave, e ka mbytur me një litar të vendosur rreth qafës.

Adonis Demiri është gjetur me lëndime të dukshme në fytyrë, i mbuluar me gjak dhe me litar të shtrënguar rreth qafës.

Në të njëjtën shtëpi është gjetur e pajetë edhe foshnja tremuajshe D.D., në shtratin e babait të saj, me shenja dhune dhe me njolla gjaku në shtrat. Prokuroria dyshon se vdekja e foshnjës është shkaktuar nga vetë Adonisi, para se ai të privohej nga jeta.

Kundërthënie me kamerat e sigurisë

Prokuroria thekson se mënyra e saktë e vdekjes së të dy viktimave ende nuk është sqaruar, pasi ka kundërthënie të qarta mes deklaratave të të pandehurve dhe incizimeve të kamerave të sigurisë. Incizimet janë marrë nga një DVR i sekuestruar në shtëpinë e Xh. Demirit, vëllait të të dyshuarit.

Në rast është e pandehur edhe bashkëshortja e tij, H. Demiri, e dyshuar për ndihmë në kryerjen e vrasjes së rëndë. Sipas Prokurorisë, dëshmitarët kryesorë janë anëtarë të ngushtë të familjes, prandaj ekziston rreziku që i pandehuri t’i bashkërendojë deklaratat me bashkëpandehurën.

Hetimet janë në fazën fillestare. Ende nuk janë pranuar rezultatet e autopsisë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, ndërsa në pritje janë edhe ekspertizat e gjurmëve biologjike, të litarit dhe të pajisjeve elektronike të sekuestruara.

Si u zbulua rasti

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se informacioni për dy persona të vdekur në shtëpinë në Demiraj është pranuar më 1 nëntor, rreth orës 08:47. Rasti fillimisht u trajtua si vdekje e dyshimtë, por më pas u ricilësua në vrasje e rëndë. I dyshuari, 65 vjeç, u arrestua dhe me vendim të prokurorit u ndalua për 48 orë, para se gjykata të vendoste për paraburgim.

E kaluara gjyqësore e 27-vjeçarit

Adonis Demiri ishte i njohur për institucionet e drejtësisë. Më 11 prill 2026, gjykata kishte shqiptuar ndaj tij urdhër mbrojtës emergjent në kohëzgjatje prej 12 muajsh, për shkak se kishte kanosur të fejuarën. Sipas burimeve të KALLXO.com, e njëjta është nëna e foshnjës.

Më 17 qershor 2026, Gjykata Themelore në Gjilan – Dega në Kamenicë e kishte dënuar me gjashtë muaj burgim për kanosje, dënim që me pëlqimin e tij u zëvendësua me gjobë prej 1 800 eurosh. Gjykata ka konfirmuar gjithashtu se në prill të këtij viti ai kishte qëndruar dy muaj në Institutin e Forenzikës Psikiatrike në Prishtinë, për shkak të dyshimeve për përdorim kokaine dhe varësi nga substancat narkotike, dhe se ndaj tij ishte shqiptuar masa e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik në liri.

QPS: E trajtuam vetëm si prind biologjik

Drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Gjilan, Mursel Zymberi, ka deklaruar se Adonisi kishte kërkuar me shkrim ta marrë në kujdes vajzën tremuajshe, e cila sipas tij ishte braktisur nga nëna në Spitalin e Gjilanit. Zymberi tha se ai u paraqit në QPS bashkë me prindërit dhe motrën, se nuk ishte vërejtur asnjë shqetësim psikik dhe se qendra nuk ka databazë që tregon nëse një person është i përfshirë në vepra penale.

“Kur kemi të bëjmë me prindin biologjik, është një procedurë tjetër me adoptimin apo kujdestarinë”, tha Zymberi, i cili deklaroi se nuk e ka menduar dorëheqjen.

Adonis Demiri dhe vajza e tij tremuajshe u varrosën sot, të martën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat