FBK: Finalja e Kupës së Kosovës - festë e sportit dhe përgjegjësi institucionale

Basketboll

FBK: Finalja e Kupës së Kosovës - festë e sportit dhe përgjegjësi institucionale

Më: 17 shkurt 2026 Në ora: 20:04
Trofeu

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK), në prag të finales së Kupës së Kosovës, riafirmon angazhimin e saj të palëkundur për organizimin e garave në standardet më të larta profesionale, të sigurisë dhe integritetit sportiv.

“Finalja e Kupës së Kosovës përfaqëson një nga momentet kulmore të kalendarit tonë kombëtar sportiv dhe një manifestim të drejtpërdrejtë të nivelit të zhvillimit, profesionalizmit dhe kulturës organizative që karakterizon basketbollin kosovar. 

Si një nga organizatat sportive më të organizuara në vend e rajon, Federata e Basketbollit e Kosovës mban përgjegjësi të plotë institucionale që ky event të zhvillohet në përputhje me praktikat më të avancuara të menaxhimit të eventeve sportive dhe standardet ndërkombëtare të qeverisjes sportive.

Organizimi i finales realizohet nga KB Rahoveci, në bashkëpunim të plotë dhe koordinim të strukturuar me Federatën e Basketbollit të Kosovës dhe autoritetet kompetente të sigurisë, mbi bazën e planifikimit operacional dhe vlerësimit institucional të riskut.

Federata e Basketbollit e Kosovës u bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve, klubeve, sportistëve, zyrtarëve dhe tifozëve që kjo finale të zhvillohet në përputhje me vlerat themelore të sportit: respektin reciprok, integritetin e garës, përgjegjësinë institucionale dhe fair-play-in. Basketbolli është një platformë e unitetit shoqëror, dinjitetit sportiv dhe konkurrencës së ndershme, dhe këto parime janë të panegociueshme.

Federata zbaton politikë të qartë dhe të pakompromis zero-tolerance ndaj çdo forme dhune, diskriminimi, gjuhe urrejtjeje apo sjelljeje që cenon sigurinë e pjesëmarrësve, reputacionin e sportit dhe integritetin e garës.

Mbarëvajtja e finales është përgjegjësi e përbashkët e organizatorit, klubeve dhe të gjithë akterëve të përfshirë.
Jemi të bindur se kjo finale do të zhvillohet në nivelin më të lartë të organizimit dhe sportivitetit, duke reflektuar standardin institucional dhe kulturën konkurruese që Federata e Basketbollit e Kosovës ka ndërtuar me përkushtim ndër vite.

Finalja e Kupës së Kosovës është festë e sportit, e meritës dhe e përgjegjësisë së përbashkët për ta përfaqësuar basketbollin tonë me dinjitet”, shkruan në faqen e FBK-së.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat