Diskutimi publik i ditëve të fundit rreth shpenzimeve milionëshe dhe pagave të larta të lojtarëve në basketbollin e Kosovës, ka ngjallur reagime të shumta. Ndërsa disa e shohin si një zhvillim pozitiv, të tjerë ngrenë alarmin për një model të paqëndrueshëm financiar që po dëmton thelbin e sportit.
Konferenca e drejtuesve të klubit të basketbolli “Sigal Prishtina”, në të cilën u fol për paga nga 20 e 25 mijë euro për basketbollistët, ngjalli reagime të shumta duke e parë këtë si një keqmenaxhim nga kryesia e mëparshme e kësaj skuadre.
Por a ka paga kaq të larta në klubet tjera të basketbollit kosovar? Qëndrim Biraj, drejtor sportiv i klubit të basketbollit “Bashkimi”, thotë për KosovaPress, se me shifra të tilla nuk paguhet asnjë lojtar në klub.
Biraj: Në KB Bashkimi nuk ka paga kaq të larta
“Pagat në këtë rast të cilat janë përmendur në deklaratë, padyshim që janë shumë të larta. Mirëpo prapë po e ceki, varet se në çfarë gara, në çfarë kompeticione merr pjesë si ekip. Unë mund të flas për ekipin tim, paga kaq të larta nuk kemi, kështu që për raste të tjera nuk e di se çfarë mund të shtojnë... Nëse duam ta ngrisim basketbollin padyshim që emrat që janë pak më serioz, me CV pak më të lartë, është problem t'i bindësh edhe t'i marrësh në ekip. Këtu padyshim që ka efekt edhe paga pak më e lartë që t'i joshim edhe të vijnë tek skuadrat tona. Mirëpo, krejt këtë e përcakton buxheti total sa e ke edhe sa janë mundësitë si ekip”, theksoi Biraj.
Ish-trajneri i K.B “Prizreni”, Arbnor Rifati, vlerëson se politikat e dobëta të klubeve kanë prishur tregun e lojtarëve, duke krijuar dallime të mëdha pagash për të njëjtin basketbollist brenda një periudhe të shkurtër kohore. Ai thotë se është në dijeni se si një basketbollist brenda dy viteve, në dy klube të ndryshme është paguar me pagë që ka pasur diferencë tepër të madhe.
Rifati: Në Superligë, një lojtar ka luajtur te një klub për 4 mijë e 500 dollarë, tek tjetri për 13 mijë
“Politika jo e mirë e klubeve ka prishur edhe tregun. Për shembull, një lojtar, nuk dua ta përmend me emër, vitin e kaluar ka luajtur për një klub për 4500 dollarë, i njëjti ka luajtur sivjet, me një klub tjetër për 13.000 dollarë. A e keni parasysh? Brenda dy viteve, kjo është, mendoj që jo një strategji e mirë e udhëheqësve të klubit, të cilët, përkundër që i kanë paret, duhet të dinë edhe si t’i shfrytëzojnë ato para. Nuk është fundi i botës nëse një lojtar i merr 20.000 euro, por duhet ditur se çka po fiton edhe ku po shkon me ato para”, deklaroi Rifati.
Ndërsa, ish-basketbollisti, Artan Mehmeti, thotë se në kohën kur ai ka luajtur, pagat kanë qenë shumë modeste krahasuar me pagat aktuale në basketbollin kosovar.
Mehmeti: Në kohën time pagat kanë qenë shumë modeste
Me shkrim:
“Kjo situata e fundit me pagat e disa lojtareve nëpër klubet tona është bërë lajm sepse janë shifra që nuk jemi mësuar t'i dëgjojmë shpesh te ne. Por, duhet ta pranojmë një gjë: kjo rritje vjen falë Ligjit për Sponsorizim, i cili është bërë 'infuzioni' kryesor dhe është jetik për mbijetesën dhe suksesin e klubeve tona sot. Kur më pyesni për kohën time, dallimi është si nata me ditën. Ne atëherë kemi luajtur më shumë për pasion dhe pagat kanë qenë shumë më modeste se këto që po përmenden sot. Megjithatë, ne kemi qenë ata që kemi hapur rrugën që basketbolli të arrijë në këtë nivel. Por, këtu ka një problem që duhet thënë: mungesa e balancës. Është pak e vështirë dhe ndonjëherë demotivuese kur sheh që një lojtar i huaj paguhet 4-5 herë më shumë se një vendor. Dhe kjo nuk vlen vetëm për lojtarët, por edhe për trajnerët tanë, të cilët shpesh nuk vlerësohen financiarisht sa kolegët e tyre të huaj, edhe pse e njohin mentalitetin dhe e ndjejnë fanellën më shumë se kushdo tjetër”, ka thënë Mehmeti.
Klubeve u është bërë thirrje për të krijuar një balancë të pagave ,si dhe menaxhim më të kujdesshëm të financave.