Trepça është kampion i Kosovës në basketboll.
Ky është titulli i tretë radhazi për klubin mitrovicas, që edhe një herë dëshmoi dhe dominimin në basketbollin tonë.
Mitrovicasit triumfuan me rezultat 98:78 (30:22, 22:18, 25:23, 21:15) ndaj Bashkimit, në ndeshjen e katërt të finales së play-off-it.
“Xehetarët” e mbyllën serinë finale me rezultat të përgjithshëm 4:0.
Në palestrën e sportit “Sezai Surroi” në Prizren, rreth 1500 shikues ndoqën nga afër finalen.
Gjithçka nisi të qartësohej në 17 minutat e para, kur mitrovicasit krijuan epërsi prej 18 pikësh (30:48), duke dominuar ritmin e takimit.
Në minutën e 14-të, Trepça kishte avantazh 12 pikësh (27:39), ndërsa pjesa e parë u mbyll me rezultat 40:52 në favor të mysafirëve.
Në minutën e 25-të, Bashkimi e ngushtoi diferencën në 57:61, por Trepça reagoi shpejt. Në minutën e 27-të epërsia shkoi në 10 pikë (60:70), ndërsa në fund të çerekut të tretë rezultati ishte 63:77.
Te Trepça, më efikasi ishte Akili Vining me 13 pikë kurse Ja'cori Payne e Drilon Hajrizi secili realizuan nga 12 pikë, ndërsa te Bashkimi u dallua Jalen Riley me 16 pikë, i ndihmuar nga Ike Nwamu me 16.
Ky është titulli i shtatë kampion për Trepçën që nga pavarësimi i sportit të Kosovës nga sistemi ish-jugosllav.