Boksieri shqiptar Labinot Xhoxhaj ka treguar edhe një herë vlerat e tij në ring, duke regjistruar një fitore të rëndësishme dhe duke mbrojtur me sukses titullin e kampionit të Evropës në kategorinë e rëndë, në versionin EBU.
Xhoxhaj triumfoi ndaj italianit Eduardo Giustini, në një përballje të vlefshme për titullin evropian.
Meçi u zhvillua në “Europa-Park Arena”, në Rust të Gjermanisë, dhe ishte i paraparë të zgjaste 12 raunde. Boksieri shqiptar dominoi përballjen dhe arriti të triumfojë me vendim unanim të gjyqtarëve.
Sipas rezultateve të publikuara, gjyqtarët e vlerësuan me rezultatet 118:109, 118:109 dhe 120:108 në favor të Xhoxhajt.
Kjo është një tjetër fitore e rëndësishme për boksierin shqiptar, i cili vazhdon ta mbajë titullin evropian në kategorinë e rëndë.
Duhet theksuar se Xhoxhaj e kishte fituar titullin evropian në nëntor të vitit 2024, kur mposhti ukrainasin Oleksandr Zakhozhyi. Më pas, ai e mbrojti me sukses titullin edhe në përballjet ndaj Mourad Alievit dhe Pezhman Seifkhanit.
Tashmë, Xhoxhaj ka kaluar me sukses edhe sfidën ndaj italianit Eduardo Giustini, duke vazhduar rrugëtimin si kampion i Evropës në kategorinë e rëndë.