Kampioni u kthye në shtëpi, Gega: Nuk e mendoja se do të kaloja Rinasin në karrige me rrota, një ëndërr e keqe

Futboll

Kampioni u kthye në shtëpi, Gega: Nuk e mendoja se do të kaloja Rinasin në karrige me rrota, një ëndërr e keqe

Më: 2 dhjetor 2020 Në ora: 13:47
Skënder Gega

“Nuk ma merrte mendja që do të kaloja Rinasin në karrocë me rrota”.

Këto ishin fjalët e para të trajnerit të Kukësit, Skënder Gega, pasi preku tokën shqiptare, kësaj here jo si kampion në fushën e blertë por si triumfator ndaj një sëmundje të rrezikshme si Covid 19.

Ai qëndroi në Turqi për një javë ku mori mjekim të specializuar për koronavirusin.

“Për fat sot prapë këtu në shtëpi, për fat e kalova unë bashkë me familjen, sepse edhe ime shoqe ishte infektuar. Falë mbështetjes, kujdesit të mjekëve, ndihmës së Zotit u bënë gjërat mirë dhe jam i lumtur që jam në shtëpi” tha ai.

Fati e deshi që doktori specialist që e ndoqi me shumë përkushtim në Turqi ishte po shqiptar, Gersi Alisha.

E siç thotë Gega, shqipja ta ngroh zemrën.

“Ishte një nga mjekët më të zotë për problemet që unë kisha, mushkëritë, infeksioni në gjak. Më ka qëndruar gjatë gjithë kohës shumë afër. Ka shumë emra, nuk dua ti veçoj, por shqipja është dicka që të ngroh dhe e falenderoj nga zemra”.

Kur e pyet sesi i konsideron 21 ditë luftë intensive me virusin, profesor Gega thotë se është zgjuar nga një ëndërr e keqe.

“Një ëndërr e keqe, ky grip ëahtë i pabesë. Brenda 2-3 ditësh gjërat ndryshuan për keq në mënyrë drastike. Por falë mbështetjes dhe njerëzve të mi të afërt të familjes që u bënë dhe iniciatorë që unë të largohesha në momentin e duhur”.

Gega thotë se solidaritetin e ka ndjerë nga e gjithë komiteti i sportit por edhe politikanë.

“E falenderoj klubin, Safet Gjicin që ka qenë gjatë gjithë kohës në kontakt me mua. Jam i lumtur që është bërë progres në ekip. Kam pasur mbështetje nga komiteti sportiv, presidentët e klubeve, presidentin e FSHF, politikanë nga të dy krahët, unë i kam miq dhe e shoh shumë njerëzore, nuk di si ti falenderoj. Mbi të gjitha është pozitiviteti në momente të vështira. Mesazhi im është që jo vetëm kur të sëmuremi por të përkrahim njëri-tjetrin pavarësisht gabimeve, fjala e mirë çon në progres”.

E kureshtjes së të gjithëve ne se kur do ta shohim në fushë, Gega i përgjigjet:

“Do të mundohem sa më shpejt të jem e mundur, më mungon futbolli dhe ekipi. Për fat të mirë mjekët u konsultuan dhe kanë parë një ndryshim drastik nga terapia, trupi është përgjigjur jashtëzakonisht mirë nga terapia. Nuk shoh ndonjë gjë të rrezikshme, do të vazhdoj mjekimet, do të kem kujdes normal”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat