Werder Bremeni e demolon Hamburgun në derbin verior

Futboll

Werder Bremeni e demolon Hamburgun në derbin verior

Nga: B.S. Më: 22 nëntor 2026 Në ora: 20:47
Marco Friedl shënoi për rezultatin 1:0 pas pushimit.

Werder Bremeni e vendosi fatin e derbit verior pas pushimit, duke e mposhtur bindshëm (4:0) Hamburgun. Kapiteni Friedl e zhbllokoi rezultatin me një gol të bukur, ndërsa Njinmah realizoi dy gola.

Për herë të 111-të u zhvillua derbi verior në Bundesligë, i cili solli shumë emocione dhe ngjarje interesante.

Në këtë përballje u takuan edhe trajnerët Merlin Polzin dhe Daniel Thioune, të cilët për vite me radhë kishin punuar së bashku, përkatësisht si trajner dhe ndihmëstrajner.

Thioune, trajneri i Werder Bremenit, vetëm të shtunën kishte vazhduar kontratën me klubin, pas një fillimi të mirë të sezonit.

Për përballjen me Hamburgun, Thioune vendosi nga minuta e parë Chukin dhe Njinmahin, në vend të Lynenit dhe Grüllit, i cili kishte probleme me pulpën e këmbës. Pas humbjes 0:1 nga Shtutgarti, Werderi synonte të rikthehej te fitorja për të mbetur në garë me pesë skuadrat e para.

Sipas mediumit gjerman “Kicker”, megjithatë, mysafirët nga Hamburgu e nisën më mirë ndeshjen. Në krahasim me fitoren 3:1 ndaj Gladbachut, në formacionin e parë u përfshinë Capaldo dhe Rössing-Lelesiit, në vend të Nandjas dhe Sambi Lokongas, i cili mungonte për shkak të një dëmtimi në fascie.

Rastin e parë e pati sulmuesi Daka, i cili në minutën e katërt goditi pranë shtyllës së majtë.

U zhvillua një përballje mjaft e barabartë ndërmjet Werder Bremenit, që renditej në vendin e gjashtë, dhe Hamburgut, që ndodhej në pozitën e 12-të.

Te Hamburgu, Vushkoviq u rikthye për herë të parë në listën e lojtarëve pas pezullimit për doping, që kishte zgjatur më shumë se katër vjet.

Në minutën e 16-të, vendasit filluan të rrezikonin më shumë. Füllkrug provoi me kokë, por portieri Heuer Fernandes e priti goditjen.

Werderi nisi gradualisht ta merrte kontrollin e lojës dhe pas një gabimi të Omarit krijoi rastin e parë të madh. Njinmah bëri një depërtim të gjatë, por në fund nuk pati më fuqi për ta konkretizuar rastin (21').

Hamburgu, që në fillim kishte rrezikuar me pasime të thella drejt Rössing-Lelesiit, më vonë e pati gjithnjë e më të vështirë të dilte në sulm. Megjithatë, në mbrojtje qëndronte mirë dhe nuk lejonte shumë raste.

Dinkci gaboi në një goditje të drejtpërdrejtë në minutën e 27-të, ndërsa Njinmah në minutën e 42-të goditi jashtë portës.

Pak para përfundimit të pjesës së parë, Füllkrug pati një rast të shkëlqyer nga 11 metra, por goditi mbi traversë (44').

Ndërkohë, Hamburgu pati edhe një moment të pafat, pasi Miro Muheim u detyrua të largohej nga loja për shkak të një lëndimi.

Pas pushimit, Hamburgu e nisi pak më mirë dhe dukej se synonte ta befasonte shpejt Werderin.

Grönbaek pati një mundësi nga goditja e lirë në minutën e 51-të, por përpjekja e mysafirëve nuk solli rezultat.

Werder Bremeni shfrytëzoi rastin e parë në pjesën e dytë për të kaluar në epërsi.

Fillimisht, portieri Heuer Fernandes e priti bukur goditjen me kokë të kapitenit Marco Friedl, por ky i fundit reagoi shpejt dhe me një goditje volej e dërgoi topin në rrjetë në minutën e 55-të për rezultatin 1:0.

Werder Bremeni vazhdoi ta kontrollonte epërsinë, ndërsa Hamburgu u përpoq të reagonte dhe nuk bëri paraqitje të keqe në këtë drejtim. Rasti më i mirë për barazim erdhi në minutën e 65-të, kur një ndërhyrje shpëtuese e Pieperit pengoi Grönbaekun të shënonte.

Megjithatë, vetëm një minutë më vonë, Werderi shoi të gjitha shpresat e Hamburgut, duke shënuar golin e dytë. Füllkrug asistoi bukur në një hapësirë të ngushtë për Njinmahin, i cili nga pozita gjysmë e majtë goditi me qetësi në këndin e djathtë të portës për 2:0 (66').

Hamburgu tashmë ishte i pasigurt dhe nuk po arrinte të reagonte ndaj epërsisë së Werderit. Në anën tjetër, vendasit vazhduan me sulme dhe shënuan edhe dy gola të tjerë, duke e çuar rezultatin në 4:0.

Fillimisht, në minutën e 70-të, Njinmah shënoi golin e tij të dytë personal, me një goditje që u devijua dhe përfundoi në këndin e sipërm të djathtë të portës. Sulmuesi i krahut të majtë, i cili zëvendësoi Grüllin, realizoi kështu dopietë.

Më pas, Füllkrug pati fillimisht fat të keq, pasi goditja e tij përfundoi në shtyllë (81'). Megjithatë, sulmuesi i Kombëtares gjermane arriti ta gjente golin në kohën shtesë, kur shënoi për 4:0 në minutën e 90+2-të. Goditja e tij përfundoi nën traversë, duke e lënë portierin Heuer Fernandes pa mundësi reagimi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat