Halimi: Vokrri ka pësuar atak kardiak, axha Shefqet nuk mund t’i ndalte lotët dhe dridhej i tëri 

Futboll

Halimi: Vokrri ka pësuar atak kardiak, axha Shefqet nuk mund t’i ndalte lotët dhe dridhej i tëri 

Nga: K.G. Më: 4 dhjetor 2020 Në ora: 14:00
Rexhep Gaxholli dhe Shefqet Sinani

Shefqet Sinani, ikona e futbollit iku në amshim! Ai ka ndërruar jetë në moshën 65-vjeçare. 

Sinani ka qenë futbollist i Gjeneratës së artë të kohës së kapitenit Fadil Vokrri, Fadil Muriqi, Kujtim Shala, Rexhep Gaxholli, Mensur Nexhipi, Behajdin Gjinali, Faton Domi, Favzi Rama, Faruk Domi etj.  

Gazetari sportiv Blerim Halimi, kujton një moment interesant.

“Iku nga kjo botë edhe një ikonë e futbollit të kryeqytetit, njeriu i urtë e bujar, Shefqet Sinani!
Kisha nderin që në vitet e fundit të isha përkrah tij në disa projekte të FFK-së. 

Më kujtohet si sot dita kur ndërroi jetë legjenda Fadil Vokrri. Ishim së bashku në projektin e Kampit Nacional U15. Kur baca Ajet (Shosholli) na e kumtoi lajmin e i hidhur se Vokrri ka pësuar atak kardiak, axha Shefqet nuk mund t’i ndalte lotët dhe dridhej i tëri. 

Eh si të ndihej ndryshe kur ishte aq i afërt me Legjendën. E sot, Shefqeti ashtu siç ishte i qetë e modest, iku në botën e përjetësisë për t'u bërë bashkë me shokun dhe bashkëlojtarin e tij. 
Ike herët Legjendë, pa na thënë shumë gjëra nga karriera jote e bujshme!

I përjetshëm kujtimi për Ty!
P.S. Dy fotot e mëposhtme fatkeqësisht dolën të jenë të fundit që pata nderin t’ia bëja Ikonës së futbollit tonë, njëra e shkrepur në fillim të këtij viti, e tjera vetëm pak javë më parë në Mazgit në kuadër të projektit "Elite Youth Development Programme U15", aty ku punoi së fundmi me përkushtim e profesionalizëm”, ka shkruar Blerim Halimi në profilin e tij në facebook.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat