Duka: Futbolli i femrave, investimet e FSHF po rrisin masivitetin e cilësinë

Futboll

Duka: Futbolli i femrave, investimet e FSHF po rrisin masivitetin e cilësinë

Më: 6 shkurt 2021 Në ora: 17:42
Duka: Futbolli i femrave, investimet e FSHF po rrisin masivitetin e cilësinë

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, dha një prononcim për mediat pas ceremonisë së nisjes së Kampionatit të parë të Futbollit për Femra U-15, teksa ndoqi edhe dy ndeshjet e para që u luajtën në kompleksin “Olympic Park – Durrës”.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, presidenti Duka u shpreh i lumtur për nisjen e këtij aktiviteti futbollistik, që ka në qendër vajzat, të cilat janë edhe një ndër prioritetet e Federatës së Futbollit. Gjithashtu, ai vlerësoi edhe rritjen e ndjeshme që ka pasur futbolli i femrave vitet e fundit, duke u bërë gjithnjë e më shumë kompetitiv, edhe në nivel ndërkombëtar.

“Jemi vërtetë të lumtur që organizojmë sot në këtë ditë kaq të bukur e me diell aktivitetin për të filluar për herë të parë kampionatin e femrave U15 në Shqipëri. Për ne është e rëndësishme, një datë historike nisja e këtij aktiviteti. Është fryt i një pune disa vjeçare e të gjithë komunitetit të futbollit shqiptar, duke ndjekur prioritetin, politikën dhe strategjinë e afrimit të sa më shumë gocave pranë futbollit. Futbolli në Shqipëri vërtetë ka filluar vonë krahasimisht me shumë vende të tjera të Europës, por në këtë 10-vjeçar ka njohur zhvillime të rëndësishme, jo vetëm në masivizimin e tij, pasi kemi shumë më shumë vajza që luajnë futboll, por edhe kualitet në ekipet tona.
Kampionati është më i bukur, klubet kanë rezultate në arenën ndërkombëtare.

Vllaznia ka kaluar disa ture në Champions League, është paraqitur mirë. Ekipi kombëtar gjithashtu, nga një ekip që pothuajse nuk luante në eliminatore, ka bërë rezultate pozitive. Është një ekip që merr pjesë rregullisht në eliminatore dhe ka ndryshim kualitativ krahasimisht me të shkuarën, por gjithsesi shumë e rëndësishme është që ne të shtojmë sa më shumë vajza në futboll dhe për këtë kemi vënë çdo gjë në dispozicion. Dua të falënderoj të gjithë ata që na janë bashkuar në këtë mision, sidomos mësuesit e edukimit fizik që janë nën drejtimin e Federatës së Futbollit. Kanë marrë vajza duke i trajnuar, jo vetëm ekipet profesioniste, vajzat nëpër shkolla nëpërmjet projektit Grow apo projekteve të tjera. Futbolli nuk është vetëm për meshkujt, pavarësisht se në Shqipëri duket si një sport mashkullor, por është për të gjithë. Dhe pikërisht për këtë, është prioritet i yni dhe do të vazhdojmë ta kemi, jo vetëm tani, por gjatë gjithë kohës, për të arritur një nivel të barabartë mes meshkujve dhe femrave në futboll.”- tha Duka.

Më tej, kreu i qeverisë së futbollit shqiptar foli edhe për projektet që ka Federata e Futbollit për zhvillimin e futbollit të femrave në Shqipëri, ku ndër to është edhe incentivimi me 20% i buxhetit të Federatës që kalon te femrat.

“FSHF-ja ka disa projekte për futbollin e femrave, duke filluar me projektin Grow që afron të gjithë vajzat e moshave të vogla rreth futbollit, pra vajza dhe djem bashkë, nëpërmjet orëve të edukimit fizik, ku dy orë në javë luhet futboll pothuajse në të gjithë Shqipërinë.

Projekte të tjera për vajzat është incentivimi shumë i rëndësishëm që ka bërë Federata e Futbollit, me një buxhet relativisht të madh. Gati 20% e buxhetit të Federatës së Futbollit shkon për të incentivuar direkt femrat, kur për meshkujt kjo nuk ekziston. Projekte të tjera si kampionati i shkollave 9-vjeçare që do të bëhet tani, investime në infrastrukturë enkas për vajzat. Çdo klub që ka një ekip vajzash futbolli do të investohet me një fushë futbolli. Të gjitha këto, jam shumë i bindur që do ta rrisin masivitetin dhe do ta rrisin dhe cilësinë e futbollit të vajzave”, – theksoi ai.
Gjithashtu, presidenti i Federatës u shpreh se për të bërë përpara në futboll, vendi ynë ka nevojë për një infrastrukturë më të mirë, e cila mund të arrihet përmes bashkëpunimit të tre palëve, qeveri-bashki dhe Federatën e Futbollit.
“Për të hedhur një hap të rëndësishëm përpara, duhet një infrastrukturë shumë më e madhe dhe jo vetëm ndryshimi i asaj infrastrukture që është por duhen shumë më shumë terrene sportive, duhen shumë më shumë fusha në futbolli në të gjithë Shqipërinë.

Dhe kjo kërkon mbështetje, bashkëpunim të të gjithë faktorëve, kryesisht pushteteve vendore dhe qeverisë, për të siguruar në radhë të parë këto hapësira, për të ndërtuar këto terrene dhe pastaj për të bashkëpunuar bashkë me ne për të investuar dhe ndërtuar këto. Deri tani nuk është se kemi ndonjë mbështetje pozitive, por gjithsesi ne do ta vazhdojmë këtë projekt, por është e pamundur që ne të arrijmë dhe të bëjmë aq sa duhet për futbollin e vajzave dhe të djemve dhe dëshirën që kanë të gjithë shqiptarët për të luajtur”, – theksoi presidenti Duka.

Në fund, i pyetur për çështjen e kërkesave që klubet e futbollit i kanë drejtuar qeverisë muaj më par, ai komentoi: “Nuk është realizuar ende asnjë nga kërkesat që komuniteti i futbollit i ka drejtuar qeverisë. Tani qeveria ka hyrë në ethet e fushatës elektorale dhe e shoh të vështirë të bëhet ndonjë lëvizje pozitive në këtë drejtim deri më 25 prill. Uroj që pasi të mbarojnë garën e ethshme dhe dëshirën e madhe të tyren për një post qeveritar apo për të qeverisur vendin të mendojnë edhe për futbollin”.

“Eliminatoret e Botërorit? Nisin në mars, janë eventi më i rëndësishëm ndërkombëtar. Janë të ndryshme nga herët e tjera, aktiviteti është shumë i ngjeshur, ndeshjet janë shumë pranë njëra-tjetrës. Vetëm në mars ne kemi tre ndeshje ndaj Andorrës, Anglisë dhe San Marinos dhe do të përfundojmë këtë rrugëtim brenda vitit. Pra, një aktivitet jo i lehtë, aq më shumë në kushtet që jemi, të pandemisë, por gjithsesi ne duhet të bëjmë më të mirën për të arritur sa më shumë në këtë grup.

Nuk është e lehtë që të kualifikohesh, sepse kualifikohet direk vetëm skuadra e vendit të parë dhe e dyta shkon në pay-off, por gjithsesi ne duhet të bëjmë maksimumin. Tre ekipet e para janë shumë të forta, Anglia, Polonia dhe Hungaria, por edhe ne jemi të fortë dhe duhet të bëjmë më të mirën për të arritur sa më lart”, – u shpreh presidenti i FSHF-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat