Jakupi, talenti shqiptar - ëndërron të luaj në Superligën e Zvicrës

Futboll

Jakupi, talenti shqiptar - ëndërron të luaj në Superligën e Zvicrës

Më: 23 shkurt 2021 Në ora: 12:48
Jakupi, talenti shqiptar - ëndërron të luaj në Superligën e Zvicrës

Ai ka një ëndërr. Dhe, ëndrra e tij është që një ditë të luaj në Superligën e Zvicrës, ndërsa preferon klubet si Servette FC, FC Lausanne Sport dhe Sion, por edhe Basel, shkruan News-TV.

“Po i preferoj këto klube, sepse janë në pjesën e kantoneve franceze dhe mendoj se do të isha përshtatur më mirë. Kuptohet me pëlqen edhe Baseli, është gjigant. Superliga është ëndrra ime. Jam i ri në moshë dhe nëse do Zoti shpresoj që të kem suksese në karrierë”, deklaron talenti nga Çerkezi i Kumanovës, Labinot Jakupi, mesfushori ofensiv i skuadrës së Vevey United, që garon në Promotion League në Zvicër, që i bie si Ligë e tretë.

“Liga e tretë nga 25 nëntori është ndërprerë për shkak të pandemisë. Kemi stërvitur në grupe dhe tani pas 10 marsit presim të kemi ndonjë lajm për vazhdimin e sezonit”, thotë Jakupi, i cili po i kalon disa ditë pushimi në vendlindjen e tij në Çerkez të Kumanovës.

“Liga e tretë, ose promotion League është një ligë fantastike për mua. Konkurrenca në ekip është e fortë. Vevey United ka ambicie për tu ngritur një rang më lartë. Para se të ndërpritet kampionati i kam zhvilluar pesë ndeshje kampionale. Me Vevey United ende s’kam kontratë, por pres që gjatë muajve të verës të nënshkruaj për dy vjet”, tregon 20 vjeçari.

“Nga futbollistët shqiptar më pëlqen Taulant Xhaka që luan me Baselin, kuptohet edhe Xherdan Shaqiri. Në Zvicër nuk ka njeri që se njeh ‘Shaqën’. Është superfutbollist”, thotë talenti Labinot Jakupi.

“Në Zvicër ka shumë talenta shqiptarë dhe sukseset e Shaqirit, Granit Xhakës e të tjerëve me kombëtaren e Zvicrës ka bërë që edhe talentëve shqiptarë tu lehtësohet rruga për të tu afirmuar si futbollistë në Zvicër”, tregon Jakupi.

“Sa i përket kombëtareve kisha pasur dëshirë të luaj për Shqipërinë ose Maqedoninë e Veriut, kuptohet nëse më thërrasin”, zbulon Jakupi dëshirën tjetër që e ka.

Labinot Jakupi është i lindur në Çerkez të Kumanovës me 22 maj të vitit 2000. Karrierën prej futbollisti e ka filluar në moshën 7-vjecare te shkolla e futbollit Liria (2009-2013), ku trajner e ka paasur Adnan Islamin, për të cilin  thotë se ka shumë respekt.

Më pas, me kërkesë të trajnerit Xhelal Ademi kaloi te shkolla e futbollit Milano në Kumanovë (2013-2017), kurse në moshën 17 vjecare u transferua te të rinjtë e Vevey United. Nga viti 2020 është pjesë e ekipit të parë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat