Alban Pnishi largohet nga Feronikeli, problemin me klubin ia kalon FIFA-së

Futboll

Alban Pnishi largohet nga Feronikeli, problemin me klubin ia kalon FIFA-së

Më: 3 mars 2021 Në ora: 16:12
Alban Pnishi

Me të ardhur në krye të Feronikelit, Klodian Duro kishte shkaktuar një “tollovi” të madhe, duke pezulluar disa futbollistë të skuadrës, e në mesin e tyre edhe Alban Pnishin.

Ish-reprezentuesi i Kosovës kishte ardhur te klubi nga Drenasi me shumë bujë në verën e vitit të kaluar, por që aventura te “Nikli” nuk i eci edhe aq mirë..

Mbrojtësi ishte njëri prej shtatë futbollistëve të pezulluar nga trajneri Duro, i cili kishte ndarë futbollistët në fjalë në stërvitje nga pjesa tjetër e grupit.

Situata e Duros qëndroi e pazgjidhur deri në muajin e kaluar, por tashmë ka marrë fund gjithçka.

Demokracia.com mëson ekskluzivisht se Pnishi e ka shkëputur kontratën me “Xehtarët” në ditët e para të muajit shkurt.

Kjo për shkak se Feronikeli nuk i ka qëndruar “besnik” kontratës së Pnishit në lidhje me pagesat.

Pas shkëputjes së kontratës, gazeta mëson se Pnishi ia ka lënë këtë punë në dorë organit më të lartë të futbollit në botë, FIFA-së.

Gjithashtu, bëhet e ditur se futbollistët e Feronikelit nuk janë paguar në dy muajt e fundit, derisa “minus” dy paga është edhe Pnishi.

Ndryshe, 30-vjeçari para Feronikelit kishte luajtur në Izrael te Bnei Yehuda dhe në Zvicër te Grasshoppers dhe FC Wohlen.

Me Përfaqësuesen e Kosovës, Pnishi ka bërë shtatë paraqitje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat