Gani Sejdiu: Suedia një kombëtare shumë e rrezikshme, Mergim Vojvoda nuk duhet të luajë në qendër të mbrojtjes

Futboll

Gani Sejdiu: Suedia një kombëtare shumë e rrezikshme, Mergim Vojvoda nuk duhet të luajë në qendër të mbrojtjes

Më: 26 mars 2021 Në ora: 19:16
Foto ilustruese

Kombëtarja e Kosovës do të ketë përball Suedinë me 28 mars të këtij viti.

Kosova dhe Suedia ballafaqohen të dielën me fillim nga ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të ndeshjeve kualifikuese për Kupën e Botës 2022.

Pritet një ndeshje mjaft e vështirë për “Dardanët” kur dihet se Suedia tradicionalisht ka qenë në mesin e kombëtareve të respektuara evropiane.

Në lidhje me këtë ndeshje është prononcuar trajneri i mirënjohur, Gani Sejdiu.

Fillimisht trajneri Sejdiu tha se kjo ndeshje është shumë e vështirë, aq më shumë kur dihen rezultatet e kombëtares së Suedisë në ndeshjet e fundit.

“Ndeshja ndaj Suedisë do të jetë një ndeshje shumë e vështirë. E dijmë që kjo kombëtare ka treguar futboll të mirë sidomos në kualifikimet për Euro 2020 dhe natyrisht ka rrezik edhe më të madh tashmë pas ardhjes së Zlatan Ibrahimovic. Është një skuadër e fortë fizikisht dhe shumë e rrezikshme në sulm” tha fillimisht Sejdiu.

Më pas ai foli edhe për mungesat e mëdha që ka Kosova në këtë takim dhe kishte disa vërejtje për paraqitjen e Mergim Vojvodës në ndeshjen ndaj Lituanisë.

“Kosova në këtë takim përballet me disa mungesa të mëdha në fazën e mbrojtjes. Mungesa e Rrahmanit dhe Dresevic janë mungesa shumë të rëndësishme që e kanë vështirësuar punën e trajnerit. Mendoj që paraqitja e Mergim Vojvodës në qendër nuk ishte edhe aq stabile dhe nuk mendoj që duhet të startojë në këtë takim në atë pozitë. Sulmi i Kosovës është në gjendje shumë të mirë dhe natyrisht kur është i kompletuar është edhe shumë funksional. Megjithatë, i mbetet trajnerit që të vendosë në lidhje me këtë gjë” vazhdoi Sejdiu.

I pyetur se a do të duhej që “Dardanët” të ishin të kënaqur edhe me një barazim, trajneri Sejdiu tha se natyrisht që po duke analizuar kombëtaren kundërshtare si dhe mungesat në skuadër.

“Suedia është një kombëtare shumë e fortë dhe analizuar nga një këndvështrim realist, absolutisht që duhet të jemi të kënaqur edhe me një barazim në këtë takim, sidomos kur i marrim parasysh edhe mungesat që i përmendëm më lartë”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat