Kush është Bilgin Qaili, njeriu që ndërmjetësoi në transferimin e shqiptarit në Besiktas?

Futboll

Kush është Bilgin Qaili, njeriu që ndërmjetësoi në transferimin e shqiptarit në Besiktas?

Më: 18 maj 2021 Në ora: 17:45
Kush është Bilgin Qaili, njeriu që ndërmjetësoi në transferimin e shqiptarit në Besiktas?

Talenti i madh i futbollit nga Maqedonia e Veriut, Besart Guxhufi, edhe përfundimisht është pjesë e kampionit të Turqisë, Beshiktash. Tashmë ish-sulmuesi i Bellasicës nga Strumica ka nënshkruar me gjigandin turk për pesë vite. Futbollisti nga Shkupi i ka kushtuar skuadrës turke 500 mijë euro.

Por, kush është njeriu që ndërmjetësoi në realizmin e këtij transferi?

Ai është Bilgin Qaili nga Shkupi, i lindur në vitin 1982. Ka qenë ish-futbollist i skuadrës së Ish-Sloga Jugomagnat nga Shkupi. Edhe babai i tij Nehat Qaili ka luajtur futboll dhe trajner i Sloga JM si dhe i reprezentacionit të Maqedonisë për moshat e reja.

Në një deklaratë për News-TV, Qaili mes tjerash zbulon se në fillim të muajit të ardhshëm, Besari do të promovohet te Beshiktashi.

“Unë së bashku me kolegun tim Gokmen Kore nga Turqia ia dolëm që të kryejmë me shumë sukses transferimin e Besarit në Beshiktash. Në garë për lojtarin ishte edhe Trabzonspori, Fenerbahce dhe Dinamo Zagreb, por Beshiktashi bëri diferencën në fillim pasi që ishin më këmbëngulës për talentin në fjalë. Mund t’ju them një lajm të dorës së parë se nga 1 deri 3 qershor pritet që Besari të promovohet si lojtar i ri”, thotë Bilgin Qaili.

Gjatë sezonit që sapo përfundoi, 16-vjecari Guxhufi për Bellasicën zhvilloi 12 ndeshje dhe shënoi 3 gola dhe pati po aq asistime.

“Ende më duket si të jetë një ëndërr, që në këtë moshë të nënshkruaj për një klub kaq të madh. Jam shumë i lumtur që do të jem pjesë e një prej skuadrave më të mëdha në Turqi, Beshiktashit.

Edhe pse jam në moshë të re, nuk e kisha të vështirë që të vendos të vesh fanellën bardhezi. Do të jetë nder për mua që të luajë në ekipin kampion, por njëkohësisht për mua është kënaqësi që të punoj nën urdhrat e një trajneri si Sergen Yalçın, për të cilin kam mësuar se ka qenë edhe futbollist me famë, ndërsa dëshiron që në skuadrën e tij të ketë futbollist të rinj.

Unë dua të them se nga sot e gjithë qenia ime, do të jetë e përkushtuar plotësisht për këtë klub, do të mundohem që në çdo ndeshje të jap maksimumin që të arrijmë rezultate sa më të mira. Dua të falënderoj njerëzit që ndihmuan në realizimin e këtij transferi, ata janë turku Gokmen dhe shqiptari Bilgin Qaili. Falënderoj gjithashtu edhe familjen time që sakrifikuan shumë për mua dhe ishin mbështetja ime më e madhe”, ka thënë Guxhufi.

Në fund të shtojmë se, Besar Guxhufi ishte pjesë e U-15 të përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut për të cilët ka realizuar tre gola në pesë ndeshje. Ndërkohë, që ai ka debutuar edhe për U-16 dhe U-17.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat