Kosovare Asllani para futbollisteve të reja të Kosovës: Futbolli nuk ka gjini

Futboll

Kosovare Asllani para futbollisteve të reja të Kosovës: Futbolli nuk ka gjini

Më: 17 shkurt 2023 Në ora: 19:16
Nënkryetari i FFK-së, Bakir Burri dhe Kosovare Asllani me numër 9-të

Futbollistja me famë botërore, Kosovare Asllani, gjatë vizitës së saj në Kosovë në kuadër të shënimit të 15-vjetorit të Pavarësisë, ka marrë pjesë edhe një aktivitet të përbashkët të UNICEF-it dhe FFK-së, me futbollistet e reja në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ku për disa minuta ka luajtur një ndeshje, duke i dhënë shpresë e motiv vajzave të reja që ta ndjekin ëndrrën e tyre përmes futbollit.

Ajo paraprakisht së bashku me nënkryetarin e FFK-së, Bakir Burri, zv/ministren e Sportit, Daulina Osmani dhe ambasadorin e Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund vendosen buqeta lulesh tek shtatorja e Legjendës, Fadil Vokrri.

Pas hyrjes në stadium, Kosovarja u emocionua nga duartrokitjet dhe ovacionet e futbollisteve të reja, teksa u shpreh se ende nuk po beson se ndodhet në Kosovë në këtë ditë kaq të veçantë për popullin shqiptar.

Pasi luajti për disa minuta së bashku me vajzat e reja të Kosovës, ajo më pas iu përgjigj pyetjeve të disa prej futbollisteve të pranishme, duke dhënë njëherësh mesazhe që ato të punojnë pa u ndalur në realizimin e ëndrrave të tyre dhe për të bërë diçka për vendin e tyre.

“Ju ftoj që gjithnjë të luani me kënaqësi dhe pasion futboll, sepse është një sport që të ofron ndjenjë të jashtëzakonshme.

Mos u dorëzoni asnjëherë, edhe atëherë kur nuk shkon siç e mendoni ju.

Punoni parreshtur që të keni sukses”, u ka thënë ndër të tjera vashave të reja dardane ish-futbollistja e Real Madridit, tani pjesë e AC Milan, Kosovare Asllani.

Ajo tutje ka treguar se në fillimet e saja në futboll është paragjykuar dhe ka pasur vështirësi, por çdo gjë e ka tejkaluar falë mbështetjes së prindërve të saj dhe dashurisë së madhe që ka pasur për futbollin.

“Edhe unë si fëmijë kur kam nisur të luaja futboll jam paragjykuar.

Madje ka pasur edhe familjarë që më thoshin se futbolli nuk është për vajza por për djem.

Edhe mësuesit në shkollë më thonin pse nuk po merresh me ndonjë sport tjetër, sepse me futboll nuk mund të arrish.

Mirëpo nuk jam dorëzuar asnjëherë dhe me përkrahjen e prindërve kam arritur t’i thyejë barrierat dhe të bëjë karrierë shumë të suksesshme.

Prandaj, nëse keni dëshirë e pasion për futbollin, atëherë patjetër duhet të luani dhe ta ndjekni ëndrrën tuaj”, ka shtuar Kosovarja para futbollisteve të reja në fushën e gjelbër të stadiumit “Fadil Vokrri”.

Pas këtij aktiviteti, futbollistja e Kombëtares së Suedisë, është pritur edhe nga krerët e institucioneve të shtetit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat