Data 22 qershor e vitit 1980 shënon një nga skandalet më të mëdha që ndodhën në stadiumin e Prishtinës.
Gjyqtari nga Novi Pazari, Abdullah Abdullahu, shkaktoi një skandal të madh gjatë ndeshjes ndërmjet Prishtinës dhe OFK Beogradit.
Kjo ndodhi në sy të Fadil Muriqit dhe shokëve të tij, të cilët ishin të shokuar nga vendimi skandaloz i gjyqtarit.
“Turp, turp, turp...
Referimi i Abdullah Abdullahut nga Novi Pazarit, palaços në të zeza, ishte aq perfid sa me të drejtë shkaktoi revoltë dhe moskënaqësi në tribuna plot spektaktorë të ndershëm dhe njohës të mirë të futbollit pa kalkulime.
Ndeshja e javës së fundit e Ligës së dytë federative të futbollit të ish Jugosllavisë (grup lindor) ndërmjet Prishtinës dhe OFK Beogradit, e cila vendoste kampionin, u ndërpre në minutën 85-të kur rezultati ishte 2:0 në të mirë të OFK Beogradit, dhe kështu mbetët që kampioni, megjithatë, të caktohet pranë tavolinës së gjelbër.
Deri në këtë moment paprecedent në futbollin prishtinas, mysafirët avanconin me 2:0, me golat që i shënuan Zelenoviqi në minutën 34 dhe Ukovskiqi në atë 43.
Nëpër mot të terrenit që vetëm mund të dëshirohen, në prani të afro 8000 spektatorëve referoi Abdullah Abdullahu nga Novi Pazari, i cili me skenë të hapur demonstroi se si nuk duhet ndarë drejtësia, se si një gjyqtar mund të vendosë për fatin e çdo skuadre, për mundin e djersën njëvjeçare, të çdo futbollisti”, ka shkruar mes të tjera gazeta “Rilindja” me 23 qershor të vitit 1980.
“Dhe, u shkaktua ndërprerja e parë. Spektatorët në tribuna, të ndershëm dhe jonaiv reaguan, por ashtu si nuk duhet.
Filluan të gjuajnë në fushë gurë, dërrasa, shishe të birrës, dhe asortimente të tjera përkatësisht ‘rekuzita’. Sepse, mllefi ishte i madh, e protesta si pasojë e ndërprerjes. Filluan marrëveshjet në relacionin referi – delegati, konsultimet spektakolare dhe loja megjithatë vazhdoi.
Pjesa e dytë ishte aq anemike, aq jointeresante sa nuk vlen as të përmendet, si edhe e tërë loja. Vullkani shpërtheu në minutën 85-të.
Në këtë çast shpërtheu lajmi se Radniçki i Kragujevcit po avancon në Nikshiq kundër Sutjeskës me 4:1.
Ky rezultat nuk i konvenonte OFK Beogradit dhe të 'shiturit' Abdullahut.
Dhe, pa pritur e pakujtuar, Abdullahu i ra pipit të vetë të ’artë’ tri herë dhe me duar, në mënyrë spektakolare, dha shenjë se ndeshja u ndërpre në momentin kur më së paku pritej.
Sepse OFK Beogradi i konvenon tani vetëm rezultati 3:0, që sipas të gjitha gjasave do të regjistrohet kjo ndeshje, për të kaluar në Ligën e parë federative, si kampion por pa kurorë”, ka shkruar më tej.
Prishtina – OFK Beogradi 0:2 – u ndërpre
Prishtina: Cvetiniq 4, Sabit Dallku 4, Novakoviq 4 (Favzi Rama 6), Bedri Lota 6, Erdogan Celina 5, Trajkoviq 4, Shefqet Sinani 5 (Agim Cana 6), Fadil Muriqi 7, Jusuf Tortoshi 6, Mitin 6 dhe Zhivkoviq 6.
OFK Beogradi: Bukarica 7, Gjuriq 7, Batriçeviq 7 – Serpak 6, Gjujiq 6, Milenkoviq 7, Starçeviq 7 (Kahraiq), Ukovski 6, Zelenoviq 7, Kostiq 7 (Gjorgjeviq) dhe Petkoviq 6.