I shënoi dy gola ndaj Kosovës, sa kohë do t'i duhej Troy Parrottit për ta kaluar Robbie Keane si golashënuesi më i mirë në historinë e Irlandës?

Futboll

I shënoi dy gola ndaj Kosovës, sa kohë do t'i duhej Troy Parrottit për ta kaluar Robbie Keane si golashënuesi më i mirë në historinë e Irlandës?

Nga: B.S Më: 18 nëntor 2026 Në ora: 14:39
Futbollisti Troy Parrott

Futbollisti Troy Parrott tani ka arritur në kuotën e 17 golave me kombëtaren e Irlandës, pas disa paraqitjeve të jashtëzakonshme në ndeshjet e fundit ndërkombëtare.

Dy golat e tij nga penalltia në ndeshjen e mbrëmshme kundër Kosovës e ka ngjitur atë në vendin e pestë në listën e golashënuesve më të mirë të të gjitha kohërave të Irlandës, ku tani është i barabartë me Shane Longun.

Ai ka lënë pas Jonathan Waltersin, Kevin Doylen dhe Noel Cantwellin, të cilët kanë nga 14 gola.

Duket pothuajse e sigurt se Parrott do të arrijë të ngjitet deri në vendin e dytë. Këtë pozitë aktualisht e mban Niall Quinn me 22 gola.

Sipas mediumit irlandez “Balls”, duke pasur parasysh se Parrott është vetëm 24-vjeçar, pritet që ai të shënojë të paktën edhe shtatë gola për Irlandën gjatë pjesës së mbetur të karrierës.

“Por, nëse synon të bëhet golashënuesi më i mirë në historinë e futbollit irlandez, përpara tij qëndron një rekord i jashtëzakonshëm: Robbie Keane, me 68 gola në 146 paraqitje.

Shtrohet një pyetje interesante: A mundet Troy Parrott të arrijë në 69 gola dhe ta thyejë rekordin e Robbie Keane? Nëse po, sa kohë do t'i nevojitej?:, shkruan media irlandeze.

Shifrat

Aktualisht, Parrott ka shënuar 17 gola në 43 paraqitje me Irlandën, që përkthehet në një mesatare prej 0,40 golash për ndeshje, ose një gol çdo 2,5 ndeshje.

Nëse do ta ruante këtë mesatare gjatë gjithë karrierës së tij, do t'i duheshin edhe 129 ndeshje ndërkombëtare për të arritur në kuotën e 68 golave të Robbie Keane.

Në atë moment, ai do të kishte gjithsej 175 paraqitje me përfaqësuesen irlandeze.

Një numër kaq i madh ndeshjesh do ta bënte atë njërin prej futbollistëve me më së shumti paraqitje në historinë e futbollit. Një skenar jo edhe aq i mundshëm.

Megjithatë, duhet pasur parasysh se Parrott vetëm kohët e fundit është shndërruar në një golashënues të rregullt. Për disa vite ai ka kaluar nëpër vështirësi dhe periudha përshtatjeje në paraqitjet me kombëtaren.

Prandaj, statistikat e të gjithë karrierës së tij me Irlandën nuk e pasqyrojnë plotësisht formën aktuale.

Në ndeshjet e Irlandës gjatë këtij viti, Parrott ka shënuar 7 gola në 10 ndeshje, me një mesatare prej 0,63 golash për ndeshje.

Nëse do ta ruante këtë ritëm deri në fund të karrierës, atij do t'i duheshin vetëm edhe 75 ndeshje për ta kaluar Robbie Keanen, duke arritur këtë rekord rreth paraqitjes së tij të 118-të me Irlandën.

Duke supozuar se do të luante rreth 10 ndeshje ndërkombëtare në vit dhe do ta ruante këtë formë, vlerësohet se do t'i duheshin 7 deri në 8 vjet për ta thyer rekordin e Keane.

Duke marrë parasysh të gjitha këto shifra, mund të supozohet se ekziston një mesatare e arsyeshme: Troy Parrott mund ta kalojë Robbie Keanen diku ndërmjet paraqitjes së tij të 127-të dhe të 189-të me kombëtaren.
Natyrisht, këto janë vetëm përllogaritje hipotetike. Është e lehtë të merren disa statistika dhe të projektohen për të gjithë karrierën e një futbollisti.

Ajo që mund të thuhet me siguri është se Parrott po kalon një formë të jashtëzakonshme dhe është ndoshta sulmuesi më i mirë irlandez që nga koha e Robbie Keane.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat