Kampionati elitar i futbollit të Kosovës rikthehet sot me ndeshjet e xhiros së 15-të, ndërsa sfida hapëse do të zhvillohet në stadiumin “Liman Gegaj”, ku Malisheva e pret Llapin nga ora 13:00.
Kjo përballje vë përballë dy skuadra që aktualisht ndodhen në pozita krejtësisht të ndryshme në tabelën e klasifikimit, por që kanë nevojë për pikë për të përmbushur objektivat e tyre në vazhdim të kampionatit.
Malisheva po kalon një sezon shumë pozitiv dhe pas 14 ndeshjeve të zhvilluara renditet në pozitën e dytë me 30 pikë, pesë më pak se liderja Prishtina, raporton KosovaPress.
Në anën tjetër, Llapi po kalon një edicion shumë më të vështirë. Skuadra nga Podujeva zë vendin e nëntë me vetëm 11 pikë të grumbulluara, ndërsa fitorja e fundit 4:1 ndaj Vushtrrisë në xhiron e kaluar ka rikthyer një pjesë të optimizmit në kampin llapjan.
Malisheva në pesë ndeshjet e fundit kampionale ka regjistruar tri fitore, një barazim dhe një humbje, ndërsa Llapi ka dy fitore, një barazim dhe dy humbje në po aq përballje.
Megjithatë, vendasit kanë edhe një arsye tjetër për të hyrë me vetëbesim në këtë takim. Në përballjen e parë të këtij sezoni, të zhvilluar më 14 shtator, Malisheva kishte triumfuar bindshëm në Podujevë me rezultat 4:0.
Llapi do të kërkojë t'i përgjigjet asaj humbjeje dhe të dëshmojë se fitorja e fundit nuk ishte e rastësishme, ndërsa Malisheva synon t'i arkëtojë tri pikët para tifozëve të saj dhe të vazhdojë ndjekjen e Prishtinës.