​Flamuri palestinez shkakton tensione në ndeshjen e Besiktasit, reagon Turqia

Futboll

​Flamuri palestinez shkakton tensione në ndeshjen e Besiktasit, reagon Turqia

Më: 27 nëntor 2026 Në ora: 09:09
Fotoilustrim

Federata Turke e Futbollit ka reaguar ashpër ndaj trajtimit të tifozëve të Besiktasit nga policia gjeorgjiane, pas incidenteve që ndodhën gjatë ndeshjes së Ligës së Evropës kundër klubit izraelit Hapoel Beer Sheva në qytetin e Batumit.

Federata turke i cilësoi si “të papranueshme” veprimet e policisë ndaj mbështetësve të klubit nga Stambolli, të cilët shpalosën një banderolë në mbështetje të Palestinës dhe brohoritën slogane anti-izraelite.

“Ne dënojmë fuqimisht qëndrimet, sjelljet dhe veprimet e papranueshme të drejtuara ndaj mbështetësve të Besiktasit brenda dhe jashtë stadiumit para dhe gjatë ndeshjes së UEFA Europa League midis përfaqësueses sonë Besiktas dhe Hapoel Beer Sheva në Gjeorgji”, thuhet në deklaratën e Federatës Turke të Futbollit.

Tifozët turq u përleshën me policinë gjeorgjiane, duke shkaktuar ndërprerjen e përkohshme të ndeshjes në minutën e 25-të. Sipas raportimeve të mediave lokale, disa persona janë arrestuar pas përleshjeve në tribunat e stadiumit në Batumi.

Pamjet televizive treguan tifozët duke hedhur sende në drejtim të policëve, ndërsa këta të fundit po tentonin të kryenin arrestime. Sipas transmetuesit gjeorgjian TV Pirveli, ndërhyrja e policisë erdhi pasi tifozët e Besiktasit shpalosën flamurin palestinez dhe brohoritën slogane kundër Izraelit.

Policia përdori sprej me piper ndaj tifozëve, disa prej të cilëve morën ndihmë mjekësore, raportoi agjencia turke e lajmeve DHA. Pas ndërprerjes, ndeshja rifilloi.

Për shkak të incidenteve, ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, telefonoi homologen e tij gjeorgjiane, Maka Botchorishvili. Ndërkohë, një burim nga Ministria e Jashtme turke bëri të ditur se përfaqësues të ambasadës turke në Tbilisi dhe konsullatës në Batumi ndodheshin në stadium.

“Po merren të gjitha hapat e nevojshëm për të siguruar sigurinë e qytetarëve tanë dhe për të mbrojtur të drejtat e tyre”, thuhet në deklaratën e burimit diplomatik.

Ndeshja ishte zhvendosur nga Stambolli në Batumi, pasi autoritetet turke e kishin njoftuar UEFA-n se, për arsye sigurie, ajo nuk mund të zhvillohej në Turqi.

Marrëdhëniet mes Turqisë dhe Izraelit janë përkeqësuar ndjeshëm për shkak të luftës në Gaza.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat