​Guardiola flet për Messin dhe Ronaldon

Futboll

​Guardiola flet për Messin dhe Ronaldon

Më: 27 nëntor 2026 Në ora: 09:50
Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola

Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, ka folur për rivalitetin historik mes Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldos, duke vlerësuar se përballja e vazhdueshme mes dy yjeve të futbollit ka ndikuar dukshëm në sukseset dhe jetëgjatësinë e tyre në nivelin më të lartë.

Në një intervistë për Romario TV, Guardiola theksoi se të dy futbollistët kanë shërbyer si motivim për njëri-tjetrin, duke i shtyrë vazhdimisht të tejkalojnë kufijtë e tyre dhe të arrijnë rekorde të jashtëzakonshme.

“Cristiano është një bishë konkurruese, një golashënues. Me këmbën e djathtë, me këmbën e majtë, me kokën e tij… I jashtëzakonshëm, i jashtëzakonshëm. Mendoj se të dy e kanë ndihmuar shumë njëri-tjetrin për të ruajtur atë standard. Nëse Messi nuk do ta kishte pasur Cristiano-n, dhe Cristiano nuk do ta kishte pasur Messin, ndoshta do të kishin pasur sezone pak më poshtë nivelit të duhur. Do të shikonin në pasqyrën e pasme për të parë se çfarë po bënte tjetri, dhe kjo i bënte të thoshin: 'Dua të jem më i mirë se ai, dua të fitoj më shumë se ai.'”

Guardiola e njeh nga afër këtë rivalitet, pasi nga viti 2008 deri më 2012 ishte trajner i Messit te Barcelona, në kohën kur Ronaldo ishte figura kryesore e rivalit të përbetuar, Real Madridit.

Për trajnerin spanjoll, ajo që e bën edhe më të veçantë historinë e dy futbollistëve nuk është vetëm niveli i jashtëzakonshëm që arritën, por fakti se arritën ta ruanin atë për afro dy dekada, duke qenë vendimtarë pothuajse në çdo sezon.

Dominimi i tyre dëshmohet edhe nga statistikat individuale. Messi ka fituar tetë herë Topin e Artë, ndërsa Ronaldo pesë herë, duke regjistruar së bashku 13 triumfe në çmimin më prestigjioz individual të futbollit.

Sipas Guardiolës, rivaliteti që për vite me radhë u shoqërua me debate se kush ishte futbollisti më i mirë në botë, në fakt ishte edhe një prej faktorëve që i ndihmoi të dy të arrinin nivele kaq të larta.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat