Kur fusha i ngjan më shumë një are sesa një stadiumi ku zhvillohet futboll profesionist në nivelin më të lartë shtetëror, atëherë bëhet më se e qartë se përse raportimi për ndeshjen Shkëndija e Haraçinës – Bregallnica, e zhvilluar sot në kuadër të xhiros së 15-të të kampionatit të Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut, do t'i kushtohet kryesisht gjendjes së fushës.
Sipas mediumit maqedonas “SportSport”, aftësitë futbollistike të lojtarëve të të dyja skuadrave natyrisht se mbetën në plan të dytë, për një arsye të thjeshtë: ato pothuajse nuk patën mundësi të shfaqeshin fare.
Ishte një luftë me terrenin dhe me topin, me pamje që të kujtonin kohë të largëta, të cilat prej kohësh është dashur të mbeteshin në të kaluarën. Por, për fat të keq, kjo ende nuk ka ndodhur.
Rezultati përfundimtar 0:0 ishte pasqyra reale e asaj që ndodhi në fushë.
Demiri, Elezi dhe Simonovski patën rastet e tyre, por në Çair, thjesht, nuk u luajt futboll. Ishte një mundim i vërtetë për futbollistët, të cilët kanë me qindra ndeshje në Ligën e Parë në këmbët e tyre, ndërsa disa prej tyre kanë edhe dhjetëra paraqitje me përfaqësueset e moshave të Maqedonisë.
Megjithatë, përvoja dhe cilësitë e tyre nuk mundën të shfaqeshin në fushë. Arsyeja është e qartë: infrastruktura sportive në Çair, në këto momente, duket sikur ka mbetur në vitet e nëntëdhjeta të shekullit të kaluar.
Në fund, të dyja skuadrat u desh të pajtoheshin me nga një pikë, ndërsa Shkëndija e Haraçinës mbetet me keqardhjen për rastet e humbura.
Shkëndija e Haraçinës renditet në vendin e pestë me 19 pikë, ndërsa Bregallnica pozicionohet në vendin e shtatë me 15 pikë.