Mbrojtësi i Dortmundit ende pa asistim në Bundesligë

Futboll

Mbrojtësi i Dortmundit ende pa asistim në Bundesligë

Nga: BOTA SOT Më: 27 nëntor 2026 Në ora: 17:04
Julian Ryerson

Pas një gjysmësezoni të jashtëzakonshëm në edicionin e kaluar, krosimet e Julian Ryersonit këtë sezon ende nuk po japin efektin e dëshiruar te Borussia Dortmundi.

Trajneri Niko Kovac e di se ku qëndron problemi dhe beson se është vetëm çështje kohe deri në rikthimin e kontributit të norvegjezit.

Sipas mediumit gjerman, “Kicker”, Julian Ryerson është një nga futbollistët që shpesh tërheq vëmendjen edhe jashtë fushës.

Nëpër Dortmund ai lëviz me një veturë klasike të tipit kabriolet, ka eksperimentuar me modele të veçanta flokësh dhe madje ka vizituar mbretin e Norvegjisë i veshur me shapka. Të dielën, mbrojtësi i krahut të djathtë i Borussia Dortmundit ndoqi edhe mbledhjen e anëtarëve të klubit në Westfalenhalle, me syze me xhama të verdhë.

Megjithatë, sezonin e kaluar Ryerson tërhoqi vëmendjen kryesisht me paraqitjet e tij në fushën e lojës. 29-vjeçari u shndërrua në një nga mbrojtësit e krahut më të rrezikshëm në Bundesliga.

Goditjet e tij të lira dhe këndore ishin shumë të sakta, ndërsa krosimet dhe pasimet drejt zonës kundërshtare shpesh krijonin rrezik të madh. Kombinimi me topat diagonalë të Nico Schlotterbeckut drejt Ryersonit ishte një nga armët e rëndësishme të Dortmundit për të thyer mbrojtjet kundërshtare.

Madje, mediat e pagëzuan norvegjezin me nofkën “Beckham i BVB-së”. Një krahasim jo edhe aq i pabazë, duke pasur parasysh se ai regjistroi 15 asistime, shifrën më të lartë nga një futbollist i Dortmundit në një sezon të Bundesligës që nga Jadon Sancho në edicionin 2019/20.

Asistimi i parë në Bundesliga ende mungon

Këtë sezon, megjithatë, Ryerson ende është në pritje të asistimit të parë në Bundesliga, ndonëse statistikat e tij janë pothuajse të njëjta me ato të sezonit të kaluar, madje në disa aspekte edhe më të mira krahasuar me gjysmën e dytë të atij edicioni.

Reprezentuesi i Norvegjisë regjistron mesatarisht 2.2 pasime që krijojnë raste për goditje në portë për 90 minuta, një shifër e njëjtë me atë të sezonit 2025/26. Në gjysmën e dytë të edicionit të kaluar kjo mesatare ishte 2.6.

Edhe numri i krosimeve për 90 minuta është rritur, nga 8.1 në gjysmën e dytë të sezonit të kaluar në 8.5 këtë edicion.

Përmirësim ka edhe në saktësinë e tyre. Përqindja e krosimeve të sakta është rritur nga 25.9 në 27.6 për qind. Asnjë futbollist tjetër në Bundesliga nuk ka realizuar më shumë krosime se Ryersoni.

Megjithatë, këto statistika ende nuk janë përkthyer në gola dhe asistime në Bundesliga dhe Ligën e Kampionëve.

Në Kupën e Gjermanisë, ndërkohë, norvegjezi ka regjistruar katër asistime, tri prej të cilave në raundin e parë kundër skuadrës së kategorisë së pestë, HEBC Hamburgut.

Edhe futbollisti që luan në krahun e majtë të Dortmundit, Daniel Svensson, ende nuk ka regjistruar asistim në kampionat.

Kontrasti me sezonin e kaluar është edhe më i madh në rastin e Ryersonit, i cili deri më tani nuk ka arritur të shfaqë të njëjtin ndikim as në goditjet standarde.

Vetëm Adil Aouchiche i Schalke 04, me 21 raste të krijuara për goditje në portë pa regjistruar asistim, ka një statistikë më të lartë se Ryersoni, i cili ka 15 të tilla.

Kovac e di ku qëndron problemi

Trajneri Niko Kovac beson se problemi nuk qëndron te cilësitë individuale të futbollistëve, por te mënyra se si skuadra po i zhvillon sulmet dhe po i shfrytëzon rastet e krijuara.

“Na duhen situata më të qarta për të shënuar. Për momentin nuk po i shoh ato aq shpesh sa do të dëshironim. Kemi krijuar disa raste, por duhet ta bëjmë këtë më shpesh”, deklaroi Kovac.

Sipas tij, Borussia Dortmundi duhet t'i zhvillojë më mirë aksionet sulmuese dhe të shfrytëzojë më shumë hapësirat në gjysmën e kundërshtarit.

“Ne kemi mënyrat tona të lojës, të cilat i përdorin edhe skuadra të tjera, si për shembull Arsenali. Ata kanë treguar se si duhet të sulmohet kundërshtari në zonën e tij. Ne këtë e bëjmë pjesërisht mirë, por mund të jemi edhe shumë më të mirë”, shtoi trajneri.

“E shoh që po mundohet”

Kovac theksoi se skuadrës i nevojiten më shumë lëvizje dhe kombinime për ta vënë kundërshtarin nën presion.

“Këto mekanizma për ta vënë kundërshtarin nën presion i kemi, por aktualisht mund të shënojmë edhe disa gola më shumë. Për këtë duhet të krijojmë më tepër raste të pastra, sepse në zonën qendrore kemi cilësinë e duhur për t'i konkretizuar ato”, u shpreh ai.

Sa i përket paraqitjeve të Ryersonit, trajneri i Dortmundit nuk shfaq shqetësim.

“E shoh që po mundohet. Është vetëm çështje kohe deri në momentin kur do të shënojmë një gol përmes krahut të tij”, deklaroi Kovac.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat