Kompany: I përqendruar te ndeshja me Hamburg

Futboll

Kompany: I përqendruar te ndeshja me Hamburg

Më: 27 nëntor 2026 Në ora: 16:17
Trajneri i Bayern Munich, Vincent Kompany

Trajneri i Bayern Munich, Vincent Kompany dhe drejtori sportiv, Christoph Freund, kanë theksuar se çështjet jashtë fushës nuk përbëjnë shpërqendrim dhe se ata mbeten të përqendruar te ndeshja e ardhshme kundër Hamburg.

Trazirat lidhur me gjendjen neurologjike të Jamal Musiala nuk po qetësohen, veçanërisht pasi shoku i skuadrës, Joshua Kimmich, kritikoi qasjen që “nuk i ngjan Bayern”, pas humbjes së mesjavës në Ligën e Kampionëve kundër Lille.

“Më duhet t’ju zhgënjej… jo të gjithë janë të shqetësuar për këtë,” u shpreh Kompany në një konferencë për shtyp para udhëtimit drejt Hamburgut.

“Nuk është naivitet, nuk është se nuk e kuptoj çfarë ndodh në botë. Por për ne, bëhet fjalë për Bayern kundër Hamburg. Kjo është ajo ku unë mund të ndikoj dhe ky është fokusi ynë“, tha trajneri belg.

“Nuk kam shumë kohë për t’u marrë me gjëra të tjera. Më vjen keq, por nuk mund t’ju ndihmoj me ato histori. Ne kemi ‘flluskën’ tonë dhe kështu do të mbetet. Kjo nuk do të thotë se brenda grupit vetëm duartrokasim. Ne ia themi të vërtetën njëri-tjetrit, përfshirë edhe gjërat që nuk shkuan mirë“, shtoi Kompany.

“Unë e mbroj këtë ambient. Unë jap shembull me veprimet e mia.

Nëse përfshihem në tema të tjera tani, nuk po jap shembullin e duhur. Prioriteti im është ndeshja kundër Hamburg“, shtoi trajneri i skuadrës bavareze.

Barazimi në shtëpi kundër Këln fundjavën e kaluar bëri që Bayern ta humbiste kreun e renditjes ndaj Borussia Dortmund, që tashmë ka një avantazh prej dy pikësh.

“Po kalojmë një periudhë të vështirë, por do të vijë një moment kur do të mund ta rrisim ritmin dhe të shënojmë gjashtë ose shtatë gola.

Atëherë kundërshtarët do të jenë të pafat,” tha Kompany.

“Ndoshta në fund do të jemi mirënjohës për këtë fazë, sepse shpresojmë se ajo na ka bërë më të fortë”, tha belgu.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat