Manchester United nuk e përjashton mundësinë e shitjes së kapitenit 

Futboll

Manchester United nuk e përjashton mundësinë e shitjes së kapitenit 

Nga: BOTA SOT Më: 27 nëntor 2026 Në ora: 16:35
Pamje nga stërvitjet e Manchester Utd

Manchester United ka aktivizuar opsionin për zgjatjen e kontratës së kapitenit Bruno Fernandes deri në vitin 2028. Megjithatë, kjo nuk e përjashton mundësinë e largimit të portugezit, nëse për të vjen një ofertë e përshtatshme.

Pak gjëra te Manchester United po u japin qetësi tifozëve. “Djajtë e Kuq” vazhdojnë të marrin vendime që i lënë të gjithë në pritje të zhvillimeve të radhës. Mauricio Pochettino ka zëvendësuar Michael Carrickun në stolin e skuadrës, por ndryshimi i trajnerit ende nuk ka sjellë rezultatet e shpresuara.

Tashmë, drejtuesit e klubit kanë kthyer vëmendjen te situata kontraktuale e kapitenit Bruno Fernandes.

Mesfushori portugez nuk ka arritur marrëveshje për një kontratë të re, ndërsa marrëveshja e tij ekzistuese ishte paraparë të përfundonte më 30 qershor 2027. Deklaratat e fundit të futbollistit hapën mundësinë e një largimi që në afatin kalimtar të janarit.

Për këtë arsye, drejtuesit e Manchester Unitedit kanë vendosur të aktivizojnë klauzolën e njëanshme në kontratën e tij, duke e zgjatur atë deri më 30 qershor 2028.

Vendimi i klubit

Sipas raportimit të The Athletic, kjo klauzolë ka qenë pjesë e kontratës aktuale të kapitenit portugez që nga fillimi. Ndërkohë, të dyja palët kishin zhvilluar bisedime me shpresën për të arritur një marrëveshje të re dhe më afatgjatë.

Bruno Fernandes kishte refuzuar dy ofertat e paraqitura nga klubi, ndërsa negociatat ishin pezulluar për momentin.

Aktivizimi i klauzolës i jep Manchester Unitedit më shumë siguri, pasi shmang mundësinë që futbollisti të largohet pa dëmshpërblim në fund të sezonit ose që klubi të detyrohet ta shesë për një shumë më të ulët gjatë janarit.

Ende mund të largohet

Pavarësisht zgjatjes së kontratës, e ardhmja e Bruno Fernandesit në Old Trafford nuk është plotësisht e sigurt.

Manchester United nuk e përjashton mundësinë e shitjes së kapitenit, nëse gjatë afateve të ardhshme kalimtare paraqitet një ofertë e përshtatshme.

Drejtuesit e klubit dëshirojnë të vlerësojnë interesimin në treg dhe të përfitojnë sa më shumë financiarisht nga një shitje e mundshme, përpara se të kërkojnë një zëvendësues.

Një nga emrat që është përmendur në këtë drejtim është mesfushori i Comos, Nico Paz, i cili është lidhur edhe me një rikthim të mundshëm te Real Madridi. Megjithatë, interesimi i Manchester Unitedit për të mbetet në nivelin e raportimeve në afatin kalimtar.

Milan dhe Juventus në garë për portugezin
Para aktivizimit të klauzolës së rinovimit, edhe dy gjigantët italianë, AC Milan dhe Juventusi, ishin lidhur me një transferim të mundshëm të Bruno Fernandesit.

Të dy klubet thuhet se kanë shfaqur interesim për ta rikthyer portugezin në Serie A, kampionat ku ai ka luajtur më herët për Novaran dhe Sampdorian.

Megjithatë, pas vendimit të Manchester Unitedit për zgjatjen e kontratës deri në vitin 2028, situata është bërë më e ndërlikuar për klubet italiane.

Tashmë, Milani dhe Juventusi do të duhej të negocionin drejtpërdrejt me Manchester Unitedin për një marrëveshje të mundshme transferimi, ndërsa një tjetër pengesë do të ishte paga e lartë e futbollistit.

Bruno Fernandes, po i afrohet fazës së fundit të karrierës së tij dhe një kontratë e madhe mund të jetë ndër marrëveshjet më të rëndësishme të karrierës së tij.

Për momentin, Manchester United e ka siguruar qëndrimin e kapitenit deri në vitin 2028, por kjo nuk do të thotë se portugezi do të vazhdojë patjetër të jetë pjesë e skuadrës deri në përfundim të kontratës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat