Romeo Burhani, ish-futbollist i Tepelenës dhe një qytetar i njohur e i respektuar në bashkinë e vogël të jugut, ka ndërruar jetë në moshën 54 vjeçare, si pasojë e një sëmundje të rëndë. Ai ishte dhe punonjës i Bashkisë Tepelenë, e cila ka ndarë një mesazh ngushëllimi për ikjen e Romeos.
"Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta, në moshën 54-vjeçare, të kolegut tonë të dashur, Romeo Burhani, pas përballjes me një sëmundje të rëndë.
Romeo ishte një qytetar i respektuar, një njeri i dashur dhe familjar shembullor. Për disa vite ai shërbeu me përkushtim si punonjës i Bashkisë Tepelenë, duke u dalluar për korrektësinë, përgjegjshmërinë dhe gatishmërinë në kryerjen e çdo detyre.
Me punën dhe sjelljen e tij njerëzore, ai fitoi respektin dhe vlerësimin e kolegëve dhe të kujtdo që pati mundësinë ta njihte", njofton bashkia.
Romeo Burhani do të kujtohet gjithashtu si një futbollist i dalluar i ekipit të Tepelenës, të cilit i shërbeu me pasion dhe krenari. Kontributi i tij në sportin e qytetit, ashtu si edhe puna e përkushtuar në shërbim të komunitetit, do të mbeten pjesë e kujtesës së Tepelenës.
"Ikja e tij në një moshë kaq të re ka lënë dhimbje të madhe te familja, të afërmit, miqtë, kolegët dhe të gjithë qytetarët që e njohën. Tepelena humbi një qytetar të denjë, ndërsa Bashkia një prej punonjësve të saj më të mirë dhe më të përkushtuar.
Bashkia Tepelenë u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Burhani, të afërmve dhe miqve të tij, duke u gjendur pranë tyre në këto çaste të vështira. U prehtë në paqe! Kujtimi i tij do të mbetet gjithmonë mes nesh", përmbyllet mesazhi i Bashkisë Tepelenë.