Arteta konfirmon planet për janarin

Futboll

Arteta konfirmon planet për janarin

Nga: BOTA SOT Më: 28 nëntor 2026 Në ora: 11:32
Mikel Arteta

Mikel Arteta ka konfirmuar se Arsenali do të jetë i gatshëm të ndërhyjë në afatin kalimtar të janarit, nëse paraqitet mundësia e duhur. Në mesin e objektivave të londinezëve është edhe anësori i RB Leipzigut, Antonio Nusa.

Arsenali po përgatitet për një afat kalimtar aktiv dimëror. Trajneri Mikel Arteta ka bërë të qartë se klubi do të shqyrtojë mundësitë për përforcime, nëse paraqitet ndonjë rast që mund ta përmirësojë ndjeshëm skuadrën.

Londinezët synojnë të shtojnë alternativat në repartin ofensiv, ndërsa njëri prej emrave që po monitorohet është talenti norvegjez i RB Leipzigut, Antonio Nusa.

Pavarësisht epërsisë prej gjashtë pikësh në krye të tabelës së Ligës Premier, reparti ofensiv i Arsenalit është vënë në pikëpyetje.

Skuadra e Artetës ka realizuar vetëm 17 gola në kampionat këtë sezon, shifra më e ulët në mesin e gjashtë skuadrave të para të tabelës. Mungesa e efikasitetit para portës kundërshtare u vërejt edhe në ndeshjet e fundit kundër Newcastle Unitedit dhe Borussia Dortmundit.

Situata në repartin ofensiv është ndikuar edhe nga largimet e verës. Gabriel Martinelli, Gabriel Jesus dhe Leandro Trossard u larguan nga klubi, ndërsa Christos Tzolis ishte përforcimi i vetëm i afruar për këtë repart.

Për këtë arsye, drejtuesit e Arsenalit po shqyrtojnë mundësinë e afrimit të një futbollisti tjetër ofensiv. Në mesin e emrave të pëlqyer është Antonio Nusa, i cili aktivizohet te RB Leipzigu.

Anësori norvegjez shihet si një alternativë që mund t'i japë më shumë shpejtësi, kreativitet dhe depërtim sulmit të Arsenalit.

Arteta: Do të shohim nëse paraqitet mundësia e duhur

Arsenali nuk ka realizuar asnjë transferim gjatë afatit kalimtar të janarit që nga viti 2023, kur në skuadër u bashkuan Jorginho, Leandro Trossard dhe Jakub Kiwior.

Megjithatë, Arteta ka insistuar se mungesa e transferimeve në disa afate dimërore nuk nënkupton se klubi ka qenë pasiv.

"Ne kemi qenë gjithmonë shumë aktivë në afatet kalimtare, veçanërisht kur kemi pasur probleme të caktuara. A kemi arritur ta përmbyllim ndonjë marrëveshje? Ndonjëherë jo. Prandaj, do të shohim nëse paraqitet ndonjë mundësi dhe nëse bëhet fjalë për diçka që besojmë se mund të bëjë diferencën për skuadrën", deklaroi trajneri spanjoll.

Kështu, Arteta ka lënë të hapur mundësinë e përforcimeve në janar, pa konfirmuar se klubi ka vendosur tashmë për ndonjë transferim konkret.

Takimi në Londër, në agjendë edhe përforcimet e janarit

Vizita e Josh Kroenkes në Londër pritet të jetë një mundësi e rëndësishme për të diskutuar strategjinë e klubit për pjesën e dytë të sezonit.

Në mesin e temave kryesore do të jetë edhe afati kalimtar i janarit, me drejtuesit që duhet të vendosin nëse do të investojnë për përforcimin e repartit ofensivë.

Antonio Nusa mbetet njëri prej emrave që po përcillet nga Arsenali, por realizimi i transferimit nuk do të jetë i lehtë. RB Leipzigu nuk ka treguar gatishmëri për ta humbur një prej futbollistëve të rëndësishëm në mes të sezonit, ndërsa vlerësimi i lartë financiar mund ta vështirësojë edhe më shumë marrëveshjen.

Për momentin, interesimi është në fazën e monitorimit dhe vlerësimit të mundësive. Mbetet të shihet nëse

Arsenali do ta konkretizojë atë me një ofertë zyrtare gjatë janarit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat