Ky ishte francezi që erdhi në Koshare për të marrë një grusht dhe nga varri i djalit

Lajme

Ky ishte francezi që erdhi në Koshare për të marrë një grusht dhe nga varri i djalit

Më: 10 prill 2021 Në ora: 11:17
Varri i francezit të vrarë në Koshare

Në maj të vitit 2007, prindërit e luftëtarit francez në luftën e Koshares, Pierre dhe Maria Pallard vizituan komunën e Gjilanit, prej nga ishte komandanti Agim Ramadani.

Kjo ishte hera e parë e tyre që kishin ardhur në Kosovë, ku në vitin 1999 kishte rënë dëshmor djali i tyre.

Pierre dhe Maria thanë se dëshirojnë që varri i Arnaudit të mbetet përgjithmonë në Koshare, aty ku ka rënë së bashku me shokët e Brigadës 138.

“Do ta lë këtu varrin, sepse nuk dëshiroj ta ndajë djalin tim nga shokët e luftës, sado që e dua dhe më mungon atje”, tha prindi i tij Pierre.

Në vend të trupit, ai tha se do ta marrë pak dhe nga varri i djalit të tij në Koshare.

Familja Pailard u nderua me mirënjohje nga Kuvendi Komunal i Gjilanit, si shenjë falënderimi për ndihmën që djali i saj i kanë dhënë luftës së Koshares.

Babai i dëshmorit, i emocionuar nga pritja në Kosovë, ku ai ishte për herë të parë, tha se Kosova do të jetë tash e tutje pjesë e zemrave të tyre.

Ai shprehu shumë fjalë miradije për popullin e Kosovës, i cili e ka befasuar veçmas për thjeshtësinë dhe ngrohtësinë që ka.

“Unë e çmoj shumë këtë ndjenjë, të cilën nuk e gjen te popujt tjerë”, tha Pierre, i emocionuar, por edhe i lumtur që Arnaudi është bashkuar në luftën e Kosovës dhe me shembullin e tij ka krijuar një përshtypje pozitive për familjen Paillard dhe popullin francez.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat