Detajet shokuese: Mafiozët që e bluan mishin e njerëzve në Serbi, e akuzojnë Vuçiqin për krim të rëndë

Lajme

Detajet shokuese: Mafiozët që e bluan mishin e njerëzve në Serbi, e akuzojnë Vuçiqin për krim të rëndë

Më: 28 korrik 2021 Në ora: 19:33
Aleksandër Vuçiq dhe Veljko Belivuk

Ndonëse Veljko Belivuk, një drejtues famëkeq i mafias serbe nga qarqet e tifozëve-huliganë i njohur më shumë si Velja Nevolja, u arrestua në shkurt, ndaj tij ende nuk është ngritur aktakuzë, kurse prokuroria ka njoftuar se aktakuza do të ngrihet këtë të premte.

Megjithatë, sipas raporteve të mediave serbe, shkruan Index.hr, në Prokurorinë serbe për Krim të Organizuar, Belivuk bëri akuza të pabesueshme kundër vetë Presidentit serb Aleksandar Vuçiq, si dhe kundër ministrit serb të Punëve të Brendshme, Aleksandar Vulin dhe të tjerëve nga kreu i Partisë Progresiste Serbe (SNS) në pushtet.

Siç kanë shkruar mediat tashmë, Belivuk, sipas Rrjetit Serb për Hetimin e Korrupsionit dhe Krimit (KRIK), i ka thënë prokurorit javën e kaluar se Vuçiq dhe bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë i kërkuan atij më shumë shërbime: të mos hidhte parulla kundër tij në tribunat e Partizanit, të tilla si “Vuçiqi peder”, të frikësojë ata që organizuan protesta kundër qeverisë, madje edhe të parandalojë incidentet e huliganëve në Paradën e Krenarisë, të cilët Vuçiqit nuk iu përgjigjen, por gjithashtu për të bërë presion ndaj shoferëve të taksive për të anuluar protestat kundër transportit CarGo aplikacion.

Velja Nevolja: Vuçiq na kërkoi shërbime

“Vendosa të them gjithçka bukur për marrëdhënien time me Presidentin serb Aleksandar Vuçiq, Ministrin e Policisë, Aleksandar Vulin, vëllain e Vuçiqit, miqtë, kumbarët dhe të gjithë politikanët e tjerë që na kërkuan shërbime, dhe tani ata bëjnë sikur nuk njihemi dhe lajnë duart nga ne ”, i tha Belivuk prokurorit, sipas një transkripti të deklaratës së tij të lëshuar nga KRIK.

Ai tha se e ka kontaktuar Vuçiqin kryesisht përmes udhëheqësit të tifozëve- huliganë, Aleksandar Vidojeviq, i njohur më mirë në Serbi si Aca Roshavi, i cili është mik i djalit të Vuçiqit, por gjithashtu se ai e ka takuar personalisht Vuçiqin disa herë.

Siç shkruan media kroate, në të njëjtën kohë, Velja Nevolja ka hedhur poshtë akuzat kryesore kundër tij, të cilat ka të ngjarë të përbëjnë një padi që po përgatitet ndaj tij: udhëheqje e një organizate kriminale, rrëmbime, të paktën pesë vrasje të rënda, posedim i armëve dhe eksplozivëve dhe tregti e drogës. Ai nuk pranoi t’u përgjigjej pyetjeve të prokurorëve në lidhje me akuzat.

Televizioni rajonal, Newsmax Adria ka marrë në zotërim dëshminë e pretenduar të bashkëpunëtorit kryesor të Belivukut, Marko Miljkoviq Maret, sipas së cilit vetë ministri Vulin zgjodhi shtëpinë famëkeqe në Ritopek, e cila u përdor nga klani kriminal Belivuk-Miljkoviq për të mbajtur njerëz të rrëmbyer dhe torturuar brutalisht dhe likuiduar ato, për të cilën gjithashtu është shkruar tashmë.

Joshnin viktimat nga klani tjetër përmes mashtrimit në “shtëpinë e tmerrit”

Në atë “shtëpi të tmerrit”, siç u quajt nga media serbe, të cilën anëtarët e klanit Belivuk e quajtën “thertore” dhe “mishtore” në bisedat e përgjuara nga policia, është gjetur një pajisje industriale për bluarjen e mishit me gjurmë njerëzish të ADN-së, si provë e qëllimit të saj të tmerrshëm – shkatërrimi i trupave të viktimave të rrëmbyera, të torturuara dhe të vrara. Pjesëtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme serbe dhe Prokurorisë për Krimin e Organizuar, gjetën gjurmë të ADN-së të disa viktimave përmes analizave mjeko-ligjore.

Burime të afërta me hetimet zbuluan për gazetën ‘Kurir’ pas arrestimit të Belivuk, se klani i tij torturoi brutalisht viktimat e rrëmbyera në vilat e marra me qira pranë Loznicës, në kufirin me Bosnjë dhe Hercegovinën: ata iu shkulnin gjuhën, u prenin kokën dhe ua shkatërruan trupin me acid. Viktimat ishin kryesisht nga një klan rival dhe shpesh josheshin në shtëpi përmes mashtrimit. Disave madje u thanë se Belivuk ishte i mbyllur në shtëpi dhe të vinin për ta torturuar dhe vrarë.

Belivuk i dërgoi Zvicerit në Mal të Zi, qebapa të bërë nga mishi i njerëzve

‘Kuriri’ serb gjithashtu në maj ka shkruar, duke cituar një burim anonim, se është zbulua që klani Belivuk bëri qebapë nga mishi njerëzve të viktimave të vrara dhe i dërgoi ato me aeroplan te udhëheqësi i arratisur i klanit Kavaç, Radoje Zvicer, në Mal të Zi për prove. Ndryshe, siç shkruajnë mediat serbe, ata shpesh ishin anëtarë të klanit rival ‘Shkaljarski’ ose të tjerëve që e kishin inat me Zvicerin.

“Ai Zvicer, kur dikush e bezdiste, i kërkonte Belivuk që t’i dërgonte qebapë. Dhe kasapët e Belivukut vërtet vranë ata njerëz, i bluanin në një pajisje industriale të mishit, bënin qebapë dhe i dërgonin te Zviceri”, pohoi vetë Vuçiq [presidenti serb], transmeton Telegrafi.

Inspektorët vjellën për shkak të pamjeve të mizorive të tij.

Kush është Velja Nevolja?

Miljkoviq, ashtu si Belivuk, tha se ai nuk bëri ndonjë vepër penale për të cilën akuzohet, por në vend të kësaj, siç raporton portali Nova.rs, ai vendosi të zbulojë lidhjet e klanit të tyre me kreun e qeverisë serbe.

Sipas Miljkoviqit të quajtur ‘Mesar’ (mishëshitës), ai u njoftua me Vulinin përmes gjyshit të tij Svetozar Vujaçiq, i cili është këshilltar i ministrit.

Mare ‘Mesar’: Vulin na tha të gjejmë një shtëpi të fshehtë, ai e zgjodhi atë në Ritopek

“Në vjeshtën e vitit 2019, unë u njoftova me Aleksandar Vulinin në klubin Gotik, është një klub nate në rrugën Karaçorçeva… Pastaj Vulin më sugjeroi që t’i gjeja një “kuti” jashtë Beogradit për një periudhë të caktuar kohe për nevojat e tyre,” tha Miljkoviq sipas transkriptit.

Gjithashtu, sikurse Belivuk, Miljkoviq pretendon se ai ishte me Vuçiqin në një apartament në lagjen Zvezdara të Beogradit.

“Vuçiq atëherë më tha se isha i lirë të takohesha me Aleksandar Vulinin dhe të bashkëpunoja me të sepse ai është dora e tij e djathtë … Unë së pari e çova Vulinin në dy shtëpi, kjo është shumë e rëndësishme, në bregun e majtë të Danubit, do të thotë në Krnjaça , Borça dhe tjera. Atij nuk i pëlqyen ato dy shtëpi atje për disa arsye, por arsyeja kryesore ishte sepse unë isha nga ato anë, kështu që të mos na lidhnin. Pastaj e çova në Ritopek, ku ai ishte i kënaqur me të gjitha, me garazhin, ai me entuziazëm më tha se gjithçka i përshtatet, i mori çelësat e garazhit, më saktësisht telekomandën dhe tha se në atë garazh askush të mos vijë derisa ata do ta përdorin”, tha Miljkoviq.

Dora e djathtë e Belivuk, thotë se për herë të fundit me Vulinin u takua në verën e vitit 2020, kur pretendohet se ministri i kërkoi një favor në lidhje me kryetarin e Gjykatës së Lartë.

“Ai donte që unë t’i sugjeroja Milovan Tadiqit -Miksi të organizonte të dashurën e tij Tijana Maksimoviq Ajfon për ta joshur, dhe pastaj të filmonte presidentin e Gjykatës së Lartë, Aleksandar Stepanoviq, sepse, siç thotë Vulin, “ai nuk do të dëgjojë shefin”, shpjegoi Milkoviq, sipas një raporti të Newsmax Adria.

Miljkoviq: Vulin urdhëroi që një makinë plot me armë të lihej në shtëpinë e Vuçiqit

Ky televizion transmetoi një pjesë tjetër të deklaratës së pretenduar të Miljkoviqit të martën, në të cilën ky i dyshuar për vrasje të rëndë, rrëmbim, torturë dhe krime të tjera, pretendon se Vulin urdhëroi në tetor të vitit 2016 që shoku dhe bashkëpunëtori i Belivuk Aleksandar Stankoviq, i quajtur Sale Mutavi, Aca Roshavi dhe Nenad Vuçkoviq, i quajtur Vuçko, të fshehin një makinë të mbushur me armë pranë shtëpisë së Aleksandar Vuçiq në Jajinci, një lagje në Beogradin e Ri. Sale Mutavi, megjithatë, nuk mund ta kryente atë detyrë sepse ai u vra të njëjtin muaj në një likuidim të qartë mafioz përpara burgut në Beograd.

Të përkujtojmë se në tetor të vitit 2016 një makinë me zola dhe një sasi më të madhe municionesh u gjet jo shumë larg shtëpisë së kryeministrit të atëhershëm Vuçiq, kjo është arsyeja pse u dyshua se ishte planifikuar një atentat në Vuçiq.

“Në atë mënyrë, ata donin t’i tregonin medias se Vuçiq ishte shënjestra, dhe deri më sot askush nuk është nuk ka mbajtur përgjegjës për atë makinë të mbushur me armë”, tha Milkoviq në deklaratën e tij.

Sa i përket Velja Nevolja, KRIK shkruan se është e vështirë të vlerësohet se çfarë është e vërtetë në deklaratën e tij para prokurorit, por se disa detaje përputhen me atë që është folur prej kohësh në qarqet serbe, tani më hapur dhe publikisht – se klani Belivuk -Milkoviq kishte rol në shtypjen e protestave kundër Vuçiqit, si dhe marrëdhënie të ngushta me njerëzit në pushtet. Në deklaratën e tij, megjithatë, Belivuk nuk i përmendi të gjithë njerëzit nga policia dhe partia në pushtet që gazetarët kishin zbuluar më parë se ishin pranë tij.

Belivuk: Vidojeviq më tha se shefi ka një problem në tribunën e Partizanit

Belivuk tha se arrestimi i tij nën dyshimin e përfshirjes në një vrasje në qendër të Beogradit kishte bërë që autoritetet serbe të humbnin kontrollin e tribunave të klubit të futbollit Partizan, ose tifozëve të tyre të Partizanit, të cilët ishin të ndarë në grupe të shumta, shpesh kundërshtare.

Vetë Belivuk është i njohur për publikun si drejtuesi i grupit të tifozëve Janjiçerët, një nëngrup i tifozëve të Partizanit që mori një emër të tillë për shkak të punëve mercenare që bëri, e cila më vonë u quajt Principi.

Në fillim të këtij viti, gazetari i “Nove.rs”, Marko Radonjiq, shkroi se Jeniçerët, respektivisht ‘Principi’, nuk mund të ishin formuar pa ndihmën e shtetit në një kohë kur Vuçiqi dhe SNS ishin tashmë në pushtet – dhe se klani mafioz Belivuk ishte një produkt i Partisë Progresive Serbe të Vuçiqit për të cilën bënte unë të pista.

Problemi duket se është zgjidhur kur Aca Roshavi iu afrua atij në 2017 dhe i bëri të ditur se ai do të ishte lidhja e tij me Presidentin e Serbisë.

“Vidojevic më tha që Shefi, siç e thërrisnim Vuçiqin, ka një problem të madh në tribunën e Partizanit që u rrodhi si rezultat i ndalimit tim në paraburgim në vitin 2016. Që Andrej, vëllai i Aleksandar Vuçiqit, ka kontroll mbi grupin e tifozëve Alkatraz, por që ata nuk kanë forcën për të nxjerrë asgjë atje, për të kontrolluar një pjesë të tribunës së tifozëve të quajtur Kimijevci, por që ata thjesht harxhojnë para dhe nuk kontribuojnë për asgjë, pa pasur në të vërtetë ndonjë kontroll. Në të vërtetët ideja ishte që të krijohej fraksioni i tifozëve, i cili do t’i bashkonte në mënyrë që situate të jetë si në stadiumin e Crvena Zvezda. (…) Ne e bëmë atë”, tha Belivuk në dëshminë e tij.

Banditët e Belivukut asgjësuan protestat kundër Vuçiqit?

Ai shtoi se me insistimin e tij, kumbara i Vuçiqit, Darko Glishiq ra dakord të organizonte një takim me Vuçiqin, të cilin ai e organizoi përmes agjentëve të Agjencisë Serbe të Sigurisë dhe Informacionit (BIA).

Sipas kësaj deklarate, Belivuk dhe Miljkoviq u takuan me Vuçiqin në një apartament në Zvezdara të vetëm, ndërsa pjesëtarët e sigurimit të Vuçiqit po prisnin përpara.

“Kishte tema të ndryshme dhe kishte edhe disa takime të tilla. Në takimin e parë, ai [Vuçiq] na tha se takimet tona do të zvogëlohen sa më shumë që të ishte e mundur, në mënyrë që të mos e rrezikonim atë ose veten për shkak të situatës politike”, tha Belivuk.

“Ata përdorën emrat tanë në kërcënime kur kishte kundër tubime – se Marko dhe unë do të bënim gjithçka për ta nëse do të paraqiteshin dhe që patjetër funksionoi, sepse shumë prej atyre tubimeve u anuluan dhe u ndërprenë”, tha Belivuk, duke folur për protestat kundër Vuçiqit.

Për banditët e Vuçiqit, të cilët luajtën një rol kyç në prishjen e protestave kundër qeverisë së tij verën e kaluar, është shkruar gjithashtu, kurse “Nova.rs” javën e kaluar publikoi fotografi të atyre banditëve që gazetarët e saj arritën t’i merrnin në protestë.

Profesori i Fakultetit të Drejtësisë dhe ish nënkryetari i FC Partizan, Vladimir Vuletiq, i tha “Nova.rs” se dy prej tre personave nga ajo foto janë anëtarë të grupit të Belivuk dhe se ai i pa ata në festimet në stadiumin e Partizanit.

Banditë të tillë të maskuar sulmuan gjithashtu gazetarin e “Nova.rs”, Vojislav Milovanceviq ndërsa po filmonte protestën dhe ia thyen kokën.

Vuçiq: Unë kurrë nuk kam parë Belivukun, ai nuk është anëtar i SNS-së

Që pozicionet e Belivuk në mjedisin tifoz-huligan dhe mafioz ishin të lidhura ngushtë dëshmohet edhe nga fakti se si pjesë e operacionit policor, në të cilin ai u arrestua në stadiumin e Partizanit, u zbulua një bunker i fshehtë nën tribunat e stadiumit, ku u gjetën drogë dhe armë. Policia ka arrestuar gjithsej 31 anëtarë të klanit kriminal Velja Nevolja, të cilët janë në paraburgim që nga ajo kohë.

Siç pritej, Vuçiq hodhi poshtë deklaratën e Belivuk, duke pretenduar se “askush nuk mund t’i besojë këto gënjeshtra” dhe se kriminelët “duhet të politikisht të nxirren” kur përballen me një aktakuzë dhe burgim.

“Kurrë nuk e kam parë Belivukun ose njerëzit e tij, kurrë dhe askund”, tha Vuçiq, duke shtuar se Belivuk, sipas asaj që ai di, nuk kishte qenë kurrë anëtar i SNS – gjë që edhe vetë Belivuk e përmendi në deklaratën e tij.

“Nëse vërtetohet se jam pare me ta, jam gati të ofroj jo vetëm për të largohem nga kjo pozitë, por edhe për të qenë prapa grilave tërë jetën dhe për të paguar shpenzimet e çdo dite të kaluar në burg”, ka thënë Vuçiqi në fjalën e tij tipik të stilit teatral.

Vulin gjithashtu iu përgjigj akuzave duke shpjeguar se Belivuk është një hap më afër burgimit të përjetshëm dhe po gënjen, sepse nuk ka çfarë të humbë.

Partia Demokratike: Vuçiq është kreu i mafias në Serbi

Të përkujtojmë se Vulin dhe Vuçiq treguan fotografi të viktimave të torturuara dhe të likuiduara nga Belivuk dhe Miljkoviq, përfshirë trupa të gjymtuar dhe me koka të prera, në disa raste – herën e parë në një konferencë shtypi së bashku, dhe herën e dytë javën e kaluar Vulin vetëm në “TV Pink”. Gjatë paraqitjes së tij, i ftuar në emisionin “TV Pink” disa ditë më parë, Vuçiq gjithashtu tregoi një video të vrasjes së Vlastimir Milosheviqit në vitin 2017, por edhe foto të krimeve të tjera.

“Ajo që njerëzit mund të shohin këtu është mishi i copëtuar i njerëzve”, përshkroi Vuçiq, një nga fotot që serbët mund të shikonin në televizion.

Sipas televizionit N1 të Serbisë, Partia Demokratike serbe në opozitë reagoi ndaj akuzave të Belivuk dhe Miljkoviq kundër Vuçiqit, duke deklaruar se “për shkak të lidhjeve të dukshme midis regjimit, grupeve të tifozëve dhe kriminelëve, është absolutisht e qartë: Vuçiq është kreu i mafies në Serbi “.

“Ai, vëllai i tij dhe kumbarët e kanë kthyer vendin tonë në diçka më shumë si diktatura të Amerikës Latine sesa demokracitë e rregullta evropiane. Ky regjim është kanceri më i keq që po e ha çdo segment të shoqërisë serbe dhe për këtë arsye luftimi i regjimit duhet të jetë prioritet për këdo që ia dëshiron të mirën vendit të tij”, shkruan nga Partia Demokratike.

Partia e Lirisë dhe Drejtësisë (SPP), e udhëhequr nga Dragan Gjilas, komentoi se ishte e qartë pse shteti dhe organet e tij nuk reaguan ndaj provave të qarta të veprimtarive kriminale të atij grupi.

Partitë e tjera të opozitës bënë vlerësime të ngjashme, kurse zëvendëskryetari i Partisë Popullore, Zdravko Ponosh për “Nova.rs” shtroi pyetjen se çfarë tjetër duhet të ndodhë që prokuroria të merr në pyetje përfundimisht Vuçiqin, Vulinin dhe zyrtarë të tjerë, të lidhur me këtë aferë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat