Atë që e bëri dje Angelina Jolie me refugjatët në Kosovë, sot po e bënë në Siri këngëtarja shqiptare Tuna

Lajme

Atë që e bëri dje Angelina Jolie me refugjatët në Kosovë, sot po e bënë në Siri këngëtarja shqiptare Tuna

Më: 21 tetor 2021 Në ora: 15:37
Tuna

Jemi dëshmitarë se gjatë luftës në Kosovë sikur vendet nga mbarë bota, përfshirë këtu edhe Zvicrën, edhe shumë yje botërore u solidarizuan dhe ndihmuan në mënyra të ndryshme me refugjatët shqiptarë madje edhe duke i vizituar ata ne kampe qoftë në Kosovë apo në vendet ku ishin strehuar ata.

Kështu kishte bërë edhe Angelina Jolie, ylli i kinematogarfisë botërore.

Atë qe dje Angalina Jolie e bëri për refugjatët në Kosovë, ylli i estradës sonë shqiptare, këngëtarja jonë e njohur nga Maqedonia Tuna Sejdiu-Tuna e cila në bashkëpunim me shoqatën humanitare në Zvicër “For Children Smile”  sot po e bënë me refugjatët në Siri, ku ne mesin e tyre janë edhe shumë sosh me origjinë shqiptare, shkruan gazeta zvicerane në shqip Le Canton27.ch

Do përkujtuar se Angelina Jolie me mision paqësor dy herë ka vizituar Kosovën, në vitin 1998 kur nisi eksodi masiv në Kosovë dhe ne dhjetor të vitit 2002 kur Kosova ishte tashmë e lirë, e cila kishte pritur Vitin e Ri bashkërisht me trupat amerikane, forcat e NATO-s dhe shqiptarët në Kosovë.

Ajo aktivitetin e saj si ambasadore e OKB-së e vazhdoi edhe pas luftës në Kosovë, se fundit me mision te ngjashëm humanitar sikur Zvicra dje ne Kosovë e sot në Afghanistan. Nga ditari i Angelina Jolie për Kosovën (“Angelina Jolie’s Kosovo Journal”, December 24, 2002 London England ) quhet ky ditari i yllin botëror, bukuroshes së planetit Angleina Jolie e cila në ditarin e saj prej 15 faqesh bën fjalë për luftën dhe eksodin e shqiptarëve nga Kosova, për refugjatët dhe spastrimet etnike serbe.

“Forcat serbe dëbuan me force nga Kosova, shqiptarët nga vatrat e tyre etnike..” kishte thënë në Gjenevë Angelina Jolie gazetarit ndërkombëtar Nefail Maliqit, nga gazeta zvicerane neë shqip Le Canton27.ch

Image

 

For Children Smile deri më tani kanë realizuar projekte të shumta jo vetëm në Siri por në të gjitha vendet e botës të prekura duke bërë donacione serioze. Dhe PO – kanë sjellur buzëqeshjet te fëmijët atje te familjet e tyre, gratë e dhunuara etj.

Ajkunën dhe Agronin duhet t’i njohësh personalisht për ta kuptuar pse nuk u hamenda fare për ftesën që ma bënë. Jo rastësisht biznesi i tyre nga 0 ka arritur në mesin e top kompanive dhe jo rastësisht “Ajkuna” tani më emër shumë i dashur për shoëbizin, jo vetëm shqiptar, është futur në kompeticion me brende botërore të prodhimeve për flokun.

For Children Smile që nga themelimi ishte në partneritet me ‘Kizilay Turkey’ të cilët i përcjellin në çdo hap. Admirimi im maksimal shkon për djemtë e shoqatës të cilët nuk na lanë vetëm në asnjë sekondë. Udhëheqësit Kadir dhe Hakan Bey dhe ushtria e tyre – djelmoshat zemërbardhë ishin heronjtë e fëmijëve… i mbanin në prehër, i ushqenin, ua krehin flokët, e njihnin me emër dhe histori secilin fëmijë aty.

Për t’u njoftuar për kushtet dhe hallet e këtyre refugjateve, Tuna Sejdiu, muajin e kaluar kishte bere mijëra kilometra për t’i vizituar në disa kampe ne Siri

E pyetur rreth këtij misioni humanitar në Siri, Tuna Sejdiu pëe gazetën zvicerane në shqip Le canton27.ch është përgjigjur se “Vizita jonë dy ditore u realizua si nisme e shoqatës joprofitare me bazë në Zvicër ‘For Children Smile e themeluar në vitin 2019 për të mbështetur familjet dhe fëmijet në nevojë të prekur nga fatkeqësitë natyrore si dhe shkatërrimet nga njeriu. Në krye të saj njoha 4 gra të mrekullueshme – 4 nëna, para së gjithash. Gra të fuqishme, sypatrembura që deri tani kishin vizituar disa herë Sirinë dhe vende të tjera si Jemeni, Libia, Zvicra, Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut, Gaza, Turqia, Bangladeshi etj…”

“I tërë ky aktivitet kishin vetëm një vizion dhe mision, atë humanitar për refugjatë sirianë të prekur nga lufta.  E këtij misioni humanitar i prinë katër gra të fuqishme me zmër të madhe: Emine, Xhemile, Pemba dhe Hasret dhe ishte kënaqësi t’i dëgjoj derisa flisnin me pasion për misionin e tyre dhe rezultatet e tij. Kisha ndjesi sikur po shikoj ndonjë serial me shumë sezone me shumë epizode në pritje të fundit të lumtur. Dhe fundi gjithmone ishte i lumtur. Derisa i shikoja aty në terren se me çfarë dashurie të sinqertë përkushtoheshin para banorëve vendas, e kuptoja arsyen e suksesit të tyre…”

Image

 

“Ajkuna dhe bashkëshorti i saj Agroni, miq të mi shumë të dashur, më ftuan t’i bashkëngjitëm iniciativës. Që në sekondën e parë pa asnjë mëdyshje iu thash “po”. Nuk ia përmenda askujt këtë ftesë dhe konfirmimin tim sepse ishte e pritshme të ma kontestonin. “Tani je nënë dhe s’mund të mendosh vetëm për veten” ishin komentet që aty këtu tentonin të më nxisin mëdyshje për të më vetëdijesuar se po nisem diku ku po vë jetën në rrezik, ku nuk kam asnjë garancë për sigurinë… po nisem në një zonë ku vazhdojnë luftimet e ashpra dhe çdo moment është i paparashikueshëm dhe mund të bëhet fatal…” ka thënë në vazhdim këngëtarja jone Tuna.

“Unë nga afër preka diçka për të cilën kisha dëgjuar, kisha lexuar, por ta shohësh e ta dëgjosh drejtpërdrejtë nga goja e atij që e ka përjetuar dhe e përjeton, ta dëgjosh dhimbjen në zërin që rrëfen më ndyshoi tërësisht pikëpamjet ndaj jetës…Kampi i parë që vizituam dhe shpërndamë pako higjienike, lodra dhe ëmbëlsira për fëmijët kishte 385 familje, pa kushte elementare për jetesë, larg shtëpive ku dikur i thurnin ëndrrat. Disa nga ata ishin njerëz të shkolluar që janë detyruar të lënë gjithçka dhe përkohësisht të vendosen në këto çadra.  Kalova orë të tëra duke biseduar për brengat e tyre. Dëgjova për jetën e tyre, për ëndrrat e tyre. Të gjithë kishin të njëjtën ëndërr: të kenë kulm mbi kokë, një çelës shtëpie që do ta hap dhe do ta mbyll derën kur nuk janë në shtëpi, një nënkresë ku do ta venin kokën.. Disa nga fëmijët kanë lind aty dhe nuk din për një jetë ndryshe. Qëndruam për një kohë në kampin “Vadel Ali” në çadrën e një familjeje 10 anëtarëshe. Kulmi i çadrës ishte i mbuluar me çarshafë, ndërsa ndarja e çadrës në dy dhoma ishte improvizuar me batanije.”

“Jo më pak dëshpëruese ishte edhe vizita e radhës në ‘Shtëpitë me briketa’ ne Meshad Ruhin ku Children Smile deri me tani ka ndërtuar 250 shtëpi. Në tabelat në hyrje të këtyre shtëpive në mesin e donatorëve lexova shumë emra shqiptar. Ishte udhëtimi më emotiv në jetën time. Janë emocione që shkojnë përtej mundësisë për t’i përshkruar me fjalë. Dhembja e atyre që i pash të ngjitet për shpirti dhe të trishton, të bën të ndjehesh fajtor për skamjen, trishtimin dhe frikën me të cilën jetojnë çdo ditë. Nga ana tjetër të bën të ndjehesh i bekuar dhe me fat për ato që ke dhe t’ia kujtosh vetes çdo ditë.”, vazhdon rrëfimin për gazetën zvicerane ne shqip Le Canton27.ch Tuna.

“Çdo shikim që më ndeshej me vogëlushët sirian para syve më sillte Tianin dhe Zenin tim, lotët rrëshqisnin e nuk arrija t’i kontrolloj as me profesionalizmin që e mësova ndër vite – është diçka më e fuqishme, diçka që më mundte! Çdo bisedë me të rriturit më rikonfirmonte se gjëja më e rëndësishme për një prind është të shoh buzëqeshjen në fytyrën e fëmiut së vet i bindur se meriton fëmijëri të lumtur. Fëmijët që takova kishin në sytë e tyre pikëllim të papërshkruar. Ata në vitet e para të jetës mbajnë mbi supe ngarkesa që nuk do të doja të ishin mbi supet e asnjë fëmije në botë. Të gjithë ata që i thurin lavde luftës nuk e kanë parë dhimbjen dhe dëshpërimin në sytë e këtyre fëmijëve…”

Për fund e pyetem Tunën, se si e ndien veten pas këtyre vizitave, kontakteve me fëmijët, me refugjate e vuajtur në këto kampe pa adrese nen çadra, te cilat skena i kishim pa para 20 vitesh në Kosovë?

“PO, të gjitha këto skena neve shqiptarëve jo vetëm se na përkujton një histori të trishtë, por edhe qe i kemi përjetuar vete. U ktheva e riformësuar. Jam një Tuna tjetër. E lumtur me “po”-në që e thash për këtë iniciativë. Sepse dua bota të jetë ndryshe, sepse dua Tiani dhe Zeni të rritet në një botë me më shumë buzëqeshje fëmijësh. Në një botë më të mirë. Unë sapo kam filluar rrugën për të dhënë kontributin minimal për një buzëqeshje fëmijësh atje ku ajo më së shumti mungon.”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat