I akuzuari për vrasjen me tetë plumba në Istog thotë se kur ndodhi vrasja ka qenë...

Lajme

I akuzuari për vrasjen me tetë plumba në Istog thotë se kur ndodhi vrasja ka qenë...

Më: 30 tetor 2021 Në ora: 08:20
Ilustrim

I akuzuari Kamber Bulleshkaj, në seancën e së premtes në Gjykatën Themelore në Pejë, ka dhënë mbrojtjen e tij, duke thënë se në kohën kur është vrarë viktima A.D, ai kishte qenë tek nëna e tij për darkë.

Bulleshkaj akuzohet se në shtator të vitit 2018, e kishte privuar nga jeta me tetë predha, tani të ndjerin A.D dhe pastaj nga një urë trupin e tij e kishte gjuajtur në Lumin e Shushicës.

Në këtë seancë, fillimisht u diskutua për aprovimin e ekspertizës për nxjerrjen e ekzaminimit të video-incizimit nga Agjencioni i Kosovës për Forenzikë, por që nga e njëjta ende nuk mund të dallohej lloji i veturës dhe shtëpia ku thuhet se ishte tek i akuzuari Bulleshkaj.

Tutje, në atë ekspertizë ishte formuar edhe raporti me shkrim, ku palët prezente nuk e kundërshtuan që të administrohet si provë.

Më pas, i akuzuari Bulleshkaj deklaroi se tani të ndjerin e kishte shok dhe se më të njëjtin nuk kishte ndonjë mosmarrëveshje.

‘’Ditën e arrestimit kam qenë në Prishtinë me punë, kam fol me policin hetues më ka thënë të vij tek shtëpia dhe nuk do hyjmë brenda pa qenë ti prezent”, tha i akuzuari.

Ai shtoi se kishte shkuar me autobus brenda dy orëve dhe kur arriti, bastisja vetëm se ishte kryer.

“Më kanë prangos në koridor të shtëpisë time, aty Enisi (polici hetues) më tha se janë gjetë do sende, një leckë me gjak dhe një predhë me gjak’’, deklaroi i akuzuari Bulleshkaj.

I pyetur nga prokurori Agron Galani se me cilin agjencion të udhëtimit ishte, i akuzuari deklaroi se nuk i kujtohet agjencioni i autobusëve me të cilin kishte shkuar.

Ai është arrestuar më 13 dhjetor 2018, ndërsa tha se kur ka shkuar në shtëpi kishte qenë bastisja e dytë, sepse edhe një herë ishte hyrë policia.

Sipas tij, për herë të parë policia kishte bastisur shtëpinë e të akuzuarit më 15 shtator 2018, pasi që sipas dyshimeve ai kishte qenë njëri prej shokëve të afërt të të ndjerit.

Po ashtu edhe se motra e tij kishte parë të parkuar në natën kritike veturën e të ndjerit tek shtëpia e të akuzuarit.

Por, nga deklarimet e të akuzuarit në bastisjen e 15 shtatorit, ai nuk kishte nënshkruar ndonjë procesverbal nga policia për bastisjen e asaj dite.

Prokurori Galani e pyeti se në telefonin e të akuzuarit kishin rezultuar disa thirrje me nënën e tij dhe i tha se përse kishte kaq shumë thirrje brenda pak orëve.

I akuzuari deklaroi t’i ketë thënë nënës së tij që përgjatë kohës sa nuk është në shtëpi t’i pastrojë shtëpinë dhe ta bëjë gati atë për lyerje të mureve.

Ndërkaq për lyerjen e mureve, i akuzuari tha se muret i ka lyer në muajin tetor të 2018-ës, e atë të llojit fasadë, për shkak se atë kohë vjeshte kanë zakon të lyejnë shtëpitë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Më pas të akuzuarit iu prezantuan disa nga fotot e të ndjerit me armë në dorë, të cilën fotografi shihet qartë se ishte po e njëjta shtëpi dhe mobile të njëjta si tek shtëpia e të pandehurit.

Për këtë, i akuzuari Bulleshkaj mohoi t’i ketë bërë ndonjëherë ato fotografi të ndjerit A.D, dhe se deklaroi se mobilet përngjajnë me ngjyrën e mobilieve të shtëpisë së tij.

Ndërkaq ai deklaroi se kishin qenë të shpeshta kohërat kur tani i ndjeri A.D, kishte lënë armë të ndryshme tek shtëpia e të akuzuarit Bulleshkaj, për t’iu ikur përgjegjësive penale, ndërsa i akuzuari nuk e kishte penguar për një gjë të tillë.

Tutje, i autorizuari i palës së dëmtuar avokati Gëzim Kollqaku, përmes disa fotografive të shtëpisë së të akuzuarit, pyet pse ato gjëra janë djeg në vitin 2020 kanapeja me gjërat tjera në shtëpi.

Lidhur me këtë, i akuzuari Bulleshkaj deklaroi se i kanë thënë se ato janë mykur dhe kalbur se ka rrjedh shiu dhe pasi janë prish i kanë hekë i kanë kallë.

Ndërsa, kur u pyet nëse e di se çfarë kanë kallë tjetër, i akuzuari thotë se atë kohë ka qenë në paraburgim dhe nuk e di saktësisht se çfarë është kallë.

Më pas ai u përball edhe me disa nga mesazhet në “Viber” me kushëririn e tij Armend Bulleshkaj, ku ishte folur që toka e të akuzuarit Kamber të shitej.

Tutje pas agjendës së ngarkuar të kryetares së trupit gjykues Nushe Kuka Mekaj dhe prokurorit Agron Galani, seanca me vazhdimin e mbrojtjes nga i akuzuari Bulleshkaj u shty për 11 nëntor 2021.

Sipas aktakuzës së ngritur më 10 tetor 2019, Kamber Bulleshkaj akuzohet se më 12 shtator 2018, rreth orës 20:25 deri më 21:15, në shtëpinë e tij në fshatin Istog i Poshtëm, pikërisht në sallonin e shtëpisë së tij, për shkak të mosmarrëveshjeve të atëçastshme, në mes të pandehurit dhe tani të ndjerit A.D, me dashje e ka privuar nga jeta këtë të fundit.

Sipas aktakuzës, A.D kishte shkuar me veturën e tipit “BMW 120”, në shtëpinë e të pandehurit, me qëllim që nga i njëjti të kërkonte një armë automatike-kallashnikov, e cila synohej të përdorej në një gazmend familjar dhe që me të, të festonin në fejesën e kushëririt të tyre.

Në aktakuzë thuhet se pasi tani i ndjeri shkon në shtëpinë e të pandehurit, pas mosmarrëveshjeve mes tyre, i pandehuri nga arma automatike e llojit të panjohur, shtie disa herë në drejtim të tani të ndjerit, duke e goditur me tetë predha në pjesë të ndryshme të trupit, ku si pasojë e plagëve vdes në vendin e ngjarjes.

Sipas aktakuzës, më pas i akuzuari me veturën e tani të ndjerit, e merr trupin e tij e dërgon tek Lumi i Shushicës, ku e hedhë atë nga ura, e pastaj me veturë vazhdon në drejtim të Mitrovicës, ku në lagjen “Bair”, e braktisë veturën, derisa kufoma të gjendet rreth orës 15:05, në vendin e lartcekur.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale të vrasjes, nga neni 178 i KPRK-së, i cili parasheh dënimin me jo më pak se pesë vjet burgim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat