Kandidati i opozitës serbe: Ja kush është gjenerali rival i Vuçiç

Lajme

Kandidati i opozitës serbe: Ja kush është gjenerali rival i Vuçiç

Më: 24 janar 2022 Në ora: 15:19
Zdravko Ponosh

Opozita serbe ka shkuar sërisht drejt logjikës fanatike për të mundur Aleksandër Vuçiçin në zgjedhjet presidenciale të 3 prillit, ku njëkohësisht do të rinovohet edhe Parlamenti i vendit.

Për të mundur njeriun më të pushtetshëm në Serbi, Presidentin Aleksandër Vuçiç, opozita nuk ka gjetur një element liberal dhe properëndimor, por një figurë ndarëse, që kujton të gjitha tmerret e luftrave në ish-Jugosllavi.

Bëhet fjalë për gjeneralin 60 vjeçar Zdravko Ponosh, ish- shef i shtabit të ushtrisë serbe, i cili edhe pse ka punuar nën presidencën e Boris Tadiç, është një përfaqësues tipik i nacionalizmit serb.

I lindur në Knin të Kroacisë, vendi ku shpërtheu lufta gjakatare me Serbinë në fillim të viteve 90, Ponosh bëri karrierë, pikërisht se përfaqësonte “martirët” e pakicës serbe në Kroaci.

Ponosh ka qenë numri dy i Partisë Popullore të Vuk Jeremiçit dhe ka shërbyer si shef i kabinetit të tij, kur ish-ministri i jashtëm serb ishte në krye të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

I konsideruar nga mediat pro-perëndimore si filorus, për pasojë të lidhjeve të ngushta me qarqe të ushtrisë ruse, gjenerali Ponosh, megjithatë është shkolluar edhe në Perëndim.

I lindur në Knin dhe i rritur në Zagreb, gjithsesi Ponosh thirrej në ushtrinë serbe edhe si “kroati”. Gjatë kohës së tij në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe, ai ka marrë pjesë edhe si komandanti i njësive në luftën e Kosovës. Ka qenë shefi i ndërlidhjes së operacionit ushtarak në Kosovë. Shtabi i tij në Prishtinë, ka qenë ndër të parët që është bombarduar nga NATO në mars të vitit 1999.

Në vitin 2006, Boris Tadiç e emëroi si shef i shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë serbe, pasi i dha gradën e gjeneralit me 5 yje. Por nuk kaloi shumë kohë dhe ai u përplas me Tadiçin dhe ministrin e tij të Mbrojtjes

Dragan Shutanovac, duke u afruar më shumë në qarqet nacionaliste.

Vuçiç, nga ana e tij ka tentuar të shfrytëzojë menjëherë pjesën e votuesve properëndimorë dhe pragmatistë, duke deklaruar se “fanatikët e ekstremistët mezi presin me padurim daljen time në pension”.

Në një intervistë në televizionin pranë tij “Pink TV”, Aleksandar Vuçiç bëri të paditurin nëse do të ishte ai apo jo kandidat.

I pyetur për të komentuar për kandidaturën të Zdravko Ponosh, Vuçiç tha se përgëzon opozitën për vendimin dhe shtoi se nuk i frikësohet humbjes.

“Pres të fitojmë dhe do të luftojmë me punë dhe rezultate. i përgëzoj kandidatët, që duken seriozë”, tha Vuçiç.

Rade Veljanovski, një nga personazhet e rëndësishëm në shoqërinë civile dhe opinionin publik, ka dalë kundër logjikës së kandidimit të ushtarakëve për president të Serbisë.

Siç bën të ditur gazeta më e rëndësishme opozitare serbe, “Danas”, Veljanovski deklaroi se “Ponosh është njeri i denjë, por nuk mund të arrijë rezultat serioz në këto zgjedhje”. Ai shtoi se ushtarakët nuk duhet të jenë kandidatë për president.

“Nëse kjo është ideja: që serbit i pëlqen të bashkohet me ushtarët dhe ata duan të kënaqin elektoratin populist, atëherë e kuptoj, por, kështu i japim Vuçiçit kostumin e politikanit të moderuar dhe europian, çka ai nuk është”, deklaroi Veljanovski.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat