Haxhiu i hap “luftë” Mujës për Trustin, hyn në bisedime me deputetët e LVV-së

Lajme

Haxhiu i hap “luftë” Mujës për Trustin, hyn në bisedime me deputetët e LVV-së

Më: 25 maj 2022 Në ora: 14:53
Bekim Haxhiu, Armend Muja

Në emër të Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja e ka marrë përsipër kundërshtimin me çdo kusht të Projektligjit për Fondet Pensionale, siç tha ai të mërkurën, derisa “të ketë numra në kuvend”.

Por, në krahun tjetër, përball tij është vënë iniciuesi i propozimit për ndryshimin e Ligjit për Fondet Pensionale, Bekim Haxhiu.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, tha se ka hyrë në negociata me deputetë të mazhorancës qeverisëse të Lëvizjes Vetëvendosje për të arritur numrin e mjaftueshëm të votave për miratimin e projektligjit.

“Kemi biseduar me deputetë të mazhorancës, të Lëvizjes Vetëvendosje, nga të cilat ka pasur dhe ka [sinjale pozitive v.j] që të kalojë ky projektligj, por emrat nuk mund t’i them sepse po u bëhet presion atyre”, ka thënë Haxhiu.

Haxhiu tha përmes telefonit se argumentimi pasionant i deputetit Muja kundër ndryshimit të Ligjit për Fondet Pensionale nuk ishte përmbajtësor.

“Ato qëndrimet e tij nuk ishin as argumente ekonomike konkrete për kundërshtimin e nismës”, tha Haxhiu, në një kundërpërgjigje ndaj deklarimit të ligjvënësit të mazhorancës, i cili tha se do ta kundërshtojë fuqishëm ndryshimin e Ligjit.

Haxhiu deklaroi se projektligji do të shqyrtohet në lexim të parë në një seancë plenare të Kuvendit të Kosovës, koha e së cilës do të përcaktohet nga Kryesia e Kuvendit.

“Projektligji do të kalojë në kuvend ku mund të votohet me shumicë të thjeshtë të votave. Është leximi i parë pas shqyrtimit në komision, në të cilin pesë deputetë votuan pro ndërkaq pesë kundër dhe me vetëm Duda Baljen kundër”, u shpreh Haxhiu.

Haxhiu tha se asnjë organizatë e huaj, duke iu referuar Fondit Monetar Ndërkombëtar që ka kundërshtuar nismën e tij, nuk mund ta ndalojë ndryshimin e projektligjit në qoftë se ai merr mbështetjen e deputetëve të kuvendit.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat