Mbahet dëgjimi i dytë buxhetor me banorët e fshatit Kçiq

Lajme

Mbahet dëgjimi i dytë buxhetor me banorët e fshatit Kçiq

Nga: H.B. Më: 22 korrik 2022 Në ora: 08:35
Foto nga vendi i ngjarjes

Mbahet dëgjimi i dytë buxhetor me banorët e fshatit Kçiq lidhur me planifikimin e buxhetit për vitin 2023

Në shkollën fillore “Bislim Imeri” në fshatin Kçiq, sot është mbajtur dëgjimi i dytë buxhetor me qytetarë për planifikimin e buxhetit për vitin 2023 dhe parashikimet për vitet 2024-2025.

Hapja e këtij takimi është bërë nga drejtoresha për Buxhet dhe Financa, Igballe Islami, e cila ju tha të pranishmeve se qëllimi i këtij takimi është që qytetarët të bëhen pjesë e vendimmarrjes dhe të japin propozime dhe të shpalosin kërkesat e tyre të cilat do të bëhen pjesë e projekteve kapitale.

Për buxhetin në përgjithësi dhe për mënyrën e krijimit dhe shpërndarjes së tij, foli zyrtari kryesor financiar, Adem Fazliu.

"Buxheti i komunës për vitin 2023 planifikohet të jetë 25, 011,350.00 euro. Burimet e fondit të buxhetit janë; granti i përgjithshëm 9, 725,479.00, granti i arsimit 8,522,968.00, granti i shëndetësisë 2,739,643.00, financimi i teatrove 169,890.00, shërbimet rezidenciale 180,000.00 dhe të hyrat vetanake 3,673,370.00 euro", tha z. Fazliu.

Nga takimi i mbajtur, të pranishmit në krye me përfaqësuesin e fshatit kanë parashtruar kërkesat buxhetore që kanë të bëjnë me infrastrukturë si: rregullim të rrugëve, trotuareve, kanalizimit, ndriçimit publik, rregullimin e urës mbi lumin Sitnica, ndërtimin e një pllake përkujtimore për të rënët nga lufta e fundit.

Po ashtu kërkesa janë adresuar edhe për fushën e arsimit si; ndërtimin e një çerdheje publike, renovimin e shkollës, rregullimin  e kabineteve të shkollës, të sallës së edukatës fizike, të tualeteve, dhe të daljes emergjente të shkollës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat