Mediat serbe: 30 forca speciale të Kosovës shihen në Zubin Potok

Lajme

Mediat serbe: 30 forca speciale të Kosovës shihen në Zubin Potok

Më: 26 gusht 2022 Në ora: 14:38
Policia e Kosovës

Mediat e regjimit autokratik të Serbisë kanë raportuar se 30 forca të Njësisë Speciale të Kosovës janë parë të pranishme të premten në fshatin Jabukë të Zubin Potokut.

Sipas tabloidit serb Novosti, i cili është nën kontrollin e pushtetit të Aleksandar Vuçiqit, një kolonë e madhe e automjeteve të policisë së Kosovës janë parë në afërsi të Zubin Potokut.

Sipas raportimit të tabloidit serb, kolona përfshinte disa automjete Toyota Land Cruiser, një automjet të blinduar Hummer H1 dhe një buldozher.

Ndërkaq, portali serb në veri të Kosovës, Kosovo-Online, raporton se pas informacioneve të publikuara në mediat e Serbisë, një gazetar i portalit është nisur sot në drejtim të fshatit Jabukë, por se është ndaluar nga Policia e Kosovës gjatë rrugës në drejtim të fshatit.

Shefi i turnit të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, citohet t’i ketë thënë gazetarit se ka kontaktuar me autoritetet në Prishtinë dhe se për shkak të sigurisë së tij personale nuk ka mundur ta lejojë udhëtimin e tij drejt fshatit Jabukë.

“Oficerët e Policisë së Kosovës ishin të sjellshëm dhe thanë se thjesht po bënin punën e tyre”, shkruan Kosovo-Online.

Fshati i përmendur nuk është larg nga vendkalimi administrativ në Bërnjak, afër të cilit serbët vendosën së fundi barrikada në përpjekje për të bllokuar lëvizjen e lirë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat