Jasharaj: Po përballem me fyerje e ofendime edhe pas pezullimit të grevës

Lajme

Jasharaj: Po përballem me fyerje e ofendime edhe pas pezullimit të grevës

Më: 3 tetor 2022 Në ora: 12:55
Rrahman Jasharaj

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka thënë se nuk po e kupton fushatën linçuese e fyese, e cila po vazhdon ndaj tij, edhe tani pasi është pezulluar greva në arsim.

Jasharaj ka thënë se tash e një kohë ka mbyllur rrjetet sociale, ndërsa fushatën kundër tij po e ndiejnë kolegët e farefisi i tij.

“Unë e kam mbyllur qëmoti Facebook-un, këtë fushatë po e ndiejnë shokët, kolegët, farefisi, por është e çuditshme, jam munduar t’i kuptoj njerëzit edhe pse kanë qenë fyes e ofendues gjatë grevës, i kam thënë vetes se e kanë nga mllefi që fëmijët nuk janë në shkollë, por të vazhdojë kjo edhe pas pezullimit të grevës dëshmon se këta njerëz janë të pafytyrë, se u ka humbur elementi njerëz dhe nuk di në shërbim të kujt janë, por nuk janë në shërbim të së mirës dhe njerëzores, ua lë në fytyrën e tyre, edhe pse ata nuk kanë fytyrë”, ka thënë Jasharaj duke përsëritur se do të kuptonte këtë fushatë gjatë grevës, por jo edhe pas saj.

Kujtojmë se edhe nga opozita kanë dënuar fushatën fyese e linçuese ndaj Jasharajt.

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka akuzuar Qeverinë për fushatën ndaj Jasharajt.

“Fushatat e organizuara dhe sulmet sistematike e të sinkronizuara kanë për qëllim frikësimin dhe shuarjen e çdo zëri që mendon ndryshe nga Qeveria dhe kryeministri”, ka thënë Çitaku të dielën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat