Kosova përfiton grante prej 57.6 milionë eurove nga Korniza Investuese e Ballkanit Perëndimor

Lajme

Kosova përfiton grante prej 57.6 milionë eurove nga Korniza Investuese e Ballkanit Perëndimor

Më: 8 dhjetor 2022 Në ora: 10:58
Ilustrim

Bordi Operacional i Kornizës Investuese të Ballkanit Perëndimor (WBIF), ka miratuar tri aplikime për fonde të Kosovës, duke mundësuar përfitimin e granteve në vlerën totale prej 57.6 milionë eurove. Kështu ka bërë të ditur sot Qeveria, e cila ka informuar se këtu përfshihet granti për përgatitjen e projektit për banimin social në vlerë prej 2.08 milionë euro, që do të shfrytëzohet për përgatitjen e investimeve që kanë vlerën totale prej 47.5 milionë eurove.

Gjithashtu, përfshihet granti investues për parkun solar në KEK në vlerën 33.07 milionë euro, si pjesë e investimeve që kanë vlerën totale prej 103.33 milionë euro. Granti i tretë, siç është bërë e ditur në komunikatë, është ai investues për ngrohjen qendrore në kryeqytet në vlerë prej 22.47 milionë euro, si pjesë e investimeve që në total kanë vlerën 76.368 milionë euro.

“Projektet për të cilat janë përfituar grantet do të realizohen në kombinim me huat që do të merren nga bankat përkrahëse për këto projekte, sikurse Banka Zhvillimore e Këshillit të Evropës (CEB), Banka Gjermane për Zhvillim (KfW), Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Banka Evropiane e Investimeve (BEI).”, ka bërë të ditur Qeveria.

Korniza Investuese e Ballkanit Perëndimor (WBIF) është një iniciativë e përbashkët e BE-së, institucioneve financiare dhe donatorëve dypalësh, që synon të rrisë bashkëpunimin dhe bashkërendimin për sa i përket investimeve që kanë për synim zhvillimin socio-ekonomik dhe kontribuimin në perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat