Lajmërohet Dodik: Asociacioni i Kosovës një ditë do të bëhet Republikë Serbe

Lajme

Lajmërohet Dodik: Asociacioni i Kosovës një ditë do të bëhet Republikë Serbe

Më: 24 janar 2023 Në ora: 21:38
Milorad Dodik

Presidenti i Republikës Serbe në Bosnjë, Milorad Dodik ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka arritur ta kthejë çështjen e Kosovës nga një pozicion humbës në agjendë dhe në fokus të interesit, dhe theksoi se serbët duhet të jenë të bashkuar për negociata.

“Ajo se çfarë mund të shihet është që pasojat që kemi mundur të dëgjojmë për Kosovën është ajo që të ndërpritet rruga evropiane, që do të ndalen investimet dhe futen prapë vizat. Këto janë pasoja serioze”, ka deklaruar Dodik.

Sipas fjalëve të tij, këto pasoja mund të ndryshojnë edhe pozitën ekonomike, sociale dhe gjeopolitike për serbët.

Ai ka thënë se kërcënimet e Perëndimit janë rritur dhe në këtë aspekt pozita e Gjermanisë është forcuar.

“Gjermania, e cila është antiserbe në zonën e Ballkanit, dhe gjithmonë ka qenë. Asnjëherë nuk ka qenë racionale, reale dhe gjithmonë ka qenë kundër serbëve. Po ashtu, edhe tash është në raport me Kosovën”, ka thënë Dodik, shkruan Klix.ba.

Kur bëhet fjalë për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, ai është shprehur se “është mirë që flasin për Republikën Serbe”, meqenëse siç thotë ai, shqiptarët shpesh thonë se nuk duan Republikë Serbe në Kosovë.

“Kjo është një gjë e mirë që po flasin, kjo një ditë do të jetë Republikë Serbe. E mendoj në kuptimin e plotë. Do të quhet Asociacioni i Komunave [me Shumicë – red.]  Serbe, do të ketë funksionet ekzekutive të qeverisë ashtu si Republika Serbe, marrëdhënie të veçanta me Serbinë ashtu si Republika Serbe. Për ta ky është problem dhe krejt çka flitet është për të”, shprehet Dodiku.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha të hënën mbrëma, se në takim me pesëshen perëndimore i është thënë atij se Serbia duhet të pranojë propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, në të kundërtën do të përballet me ndërprerjen e procesit të integrimit evropian, ndalimin dhe tërheqjen e investimeve dhe të gjitha masave gjithëpërfshirëse që do të shkaktojnë dëme të mëdha në vend.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat