Mediat në Beograd publikojnë dokumentin: Serbia para se të anëtarësohet në BE, duhet të njohë Kosovën

Lajme

Mediat në Beograd publikojnë dokumentin: Serbia para se të anëtarësohet në BE, duhet të njohë Kosovën

Më: 7 mars 2023 Në ora: 15:48
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq

Ndërkohë që e gjithë vëmendja e publikut aktualisht është e përqendruar te marrëveshja evropiane dhe pranimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara, diplomatët evropianë kanë deklaruar se 'njohja reciproke' nënkuptohet kur Serbia të jetë pranë anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Ky reagim vjen pas zhvillimeve të fundit në Kosovë dhe Serbi pas takimit të zhvilluar në Bruksel ku dy palët u dakordësuan me propozimin e planit të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Edhe nëse tani Serbia e shmang pranimin e Kosovës në OKB, që interpretohet si njohje joformale e Kosovës, pas disa vitesh pritet që ajo ta pranojë atë zyrtarisht.

Fjalia që përshkon pothuajse në mënyrë të padukshme tekstin e dokumentit, i cili buron nga zyrat e diplomatëve evropianë që punojnë në zbatimin e Marrëveshjes Evropiane, është se njohja reciproke e Serbisë dhe Kosovës do të ndodhë me hyrjen e tyre në Bashkimin Evropian, shkruan portali serb Nova.

Në pjesën ku krahasohet propozimi evropian për Kosovën me modelin e dy Gjermanive, thuhet se nëse Serbia dhe Kosova vazhdojnë me vendosmërinë e tyre për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, së shpejti do të ndodhë normalizimi i plotë përmes njohjes reciproke.

"Republika Federale e Gjermanisë nuk e ka njohur kurrë Republikën Demokratike Gjermane dhe anasjelltas. Megjithatë, Traktati Themelor i vitit 1972 bëri të mundur që dy Gjermanitë të pranonin realitetin e ekzistencës së tjetrës. Kjo gjithashtu iu mundësoi vendeve perëndimore të zhvillojnë marrëdhënie me RDGJ. Nëse Serbia dhe Kosova vazhdojnë me vendosmërinë e tyre për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, së shpejti do të ndodhë normalizimi i plotë përmes njohjes reciproke. Tani për tani, bashkëjetesa përmes bashkëpunimit dhe marrëdhënieve paqësore, pavarësisht dallimeve, është e vetmja gjë që bashkësia ndërkombëtare kërkon nga Serbia dhe Kosova”, thuhet në dokument. 

Ditën e premte emisari special, Miroslav Lajçak do të kryejë një vizitë në Prishtinë në kuadër të bisedimeve lidhur me këtë çështje, pas dakordësimit të palëve për planin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, i cili pritet të nënshkruhet më datë 18 Mars në Maqedoninë e Veriut. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat