Vuçiq i inatosur pse Kosova mban zgjedhjet në veri - përmend Vjosa Osmanin

Lajme

Vuçiq i inatosur pse Kosova mban zgjedhjet në veri - përmend Vjosa Osmanin

Më: 7 prill 2023 Në ora: 21:22
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është shfaqur i mllefosur që Kosova, do organizojë zgjedhje për pushtet lokal në katër komunat e saj në veri të Republikës më 23 prill.

Në një paraqitje para gazetarëve të premten pasdite, Vuçiq  replikoi në distancë me homologen e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila caktoi datën në fjalë për ditë të votimeve.

“Ajo [Vjosa Osmani] thotë se do organizojnë zgjedhje në veri për 2 përqind të popullatës në Mitrovicë, për 0.2 përqind të banorëve në Zveçan, për 0.9 përqind të popullatës në Leposaviq  dhe për 1.1 përqind të tyre në Zubin Potok. Në Mitrovicë s’e kanë gjetur asnjë serb për garë madje as ‘agjentin’ e tyre s’e kanë gjetur. S’e kanë gjetur asnjë ‘budalla lokal’, pra askënd”, theksoi kryetari i Serbisë.

Këto komente Vuçiq i bëri pas takimit që e kishte me krerët e Listës Serbe dhe kryetarët e komunave kosovare që vijnë nga ky subjekt. Ai shtoi se serbët se kanë ndërmend të dalin në votimet e 23 prillit.

“S’ka asnjë problem, na thoni Albin Kurti është kryetar i komunës në veri të Mitrovicës, për shkak se ka fituar 1 përqind të votave. Kështu funksionon ajo demokraci e mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe atyre kombëtare. Në Zubin Potok do jetë njëjtë. Kjo është bukuri”, tha Vuçiq.

Presidenti nga Beogradi, paralajmëroi se pas shtatë ditësh do mbajë takim të madh në Rashkë [qytet i Serbisë në afërsi të kufirit me Kosovën] po me krerët e Listës Serbe dhe nga aty do të dilet me përfundime se si të veprohet tutje. Pra me një platformë.

Vuçiq, pretendon se pala e Kosovës s’po i përmbahet asnjë ujdie të dialogut dhe se sipas tij po ushtrohet represion ndaj serbëve.

“Ata janë të hidhëruar për arrestimin e serbëve dhe tentimin që të gjitha ata që kanë bërë rezistencë  – qoftë rezistencë jo të dhunshme apo çfarëdo rezistence ndaj tentimeve që i bëri Kurti në veri të Kosovës. Pra këta njerëz janë objektivi kryesor i këtyre arrestimeve. Ky është tentim i spastrimit të veriut i gjithë atyre që një ditë do mund të kundërshtojnë. Njerëzit thjeshtë më këtë nuk duan ta durojnë”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat