Petkoviq: Fitues të zgjedhjeve, serbët që bojkotuan votimet

Lajme

Petkoviq: Fitues të zgjedhjeve, serbët që bojkotuan votimet

Më: 23 prill 2023 Në ora: 19:59
Petar Petkoviq

Drejtori i së ashtuquajturës “Zyrës për Kosovën” të Qeverisë së Serbisë, Petar Petkoviq, tha se fitues të zgjedhjeve në veri të Kosovës janë “populli serb në Kosovë, i cili i bojkotoi këto zgjedhje sepse nuk dëshiron okupimin”.

“Kjo është një disfatë për atë pjesë të bashkësisë ndërkombëtare që e mbështeti [kryeministrin e Kosovës, Albin] Kurtin dhe deklaroi se do t’i njohë rezultatet” e zgjedhjeve, tha Petkoviq në konferencën për media të mbajtur në Beograd.

Petkoviq tha se, sipas të dhënave të autoriteteve në Serbi, në zgjedhje kanë votuar 13 persona të kombësisë serbe.

Ai i quajti zgjedhjet “antidemokratike dhe jolegjitime”. Petkoviq kritikoi Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) që lejoi mbajtjen e zgjedhjeve në kontejnerë, që ruheshin nga Policia e Kosovës.

Ai po ashtu tha se “nuk ka rrugë të mëtutjeshme drejt normalizimit të marrëdhënieve” mes Kosovës dhe Serbisë pa u themeluar Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

I pyetur se çfarë mund të pritet në takimin mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të paralajmëruar për 2 maj, Petkoviq tha se presidenti i Serbisë “nëse shkon në Bruksel më 2 maj, do të tregojë se mbron popullin serb, paqen dhe stabilitetin me gjithë fuqinë e tij”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat